Lehtësira për pushuesit kosovarë

17/05/2013 00:00

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shqiptar Hysni Burgaj dhe kolegu i tij i Kosovës, Shpend Maxhuni nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit për krijimin e lehtësirave për pushuesit kosovarë që do të vizitojnë bregdetin dhe pikat turistike gjatë sezonit veror.

Marrëveshja përqendrohet kryesisht mes policive të qarkullimit rrugor, ndërsa kreu i Policisë së Shtetit, Burgaj bëri të ditura pikat e marrëveshjes.

“Në të gjitha rastet që konstatohen kundravajtjet dhe shkeljet në drejtim të rregullave të qarkullimit rrugor, oficerët e policisë do të tërheqin vëmendjen në raportin e ngjarjes do të shkruhet dhe do t’i kalojnë të gjitha këto shkelje autoriteteve të Kosovës. Nuk do të ndëshkohen në asnjë me asnjë masë, vetëm në rastet që krijojnë vepra apo kundravajtje penale”, tha Burgaj.

Drejtori Policisë së Kosovës, Shpend Maxhini falenderoi homologun shqiptar dhe ftoi shtetasit e Kosovës që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor në shtetin shqiptar.

“Unë falenderoj mikun tim për qasjen liberale ndaj shtetasve kosovarë që do kalojnë në Republikën e Shqipërisë, por apeloj që të gjithë vozitësit që do të kalojnë pushimet në Shqipëri që të jenë të kujdesshëm dhe të zbatojnë të gjitha rregullat e qarkullimit rrugor”, tha zoti Maxhuni. 

Top Channel