
Pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës kanë filluar të njohin realitetin në terren.
Kështu ka deklaruar zëvendësministri i Jashtëm kosovar, Petrit Selimi, sipas të cilit diplomacia kosovare po bën përpjekje maksimale për t’i bindur vendet në fjalë që të hedhin hapin e madh.
“Njohja e pasaportave të Republikës së Kosovës nga Rumania është shenjë se ka filluar të njihet realiteti në Kosovë nga pesë vendet anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur ende shtetin tonë”, ka deklaruar Selimi.
Ai është shprehur i bindur se: “Njohja do të vijë, pasi këto shtete kanë filluar të njohin realitetin e Kosovës si një faktor stabiliteti”.
Numri dy i diplomacisë së Kosovës ka thënë se vitin e kaluar është shënuar një numër rekord njohjesh, ndërsa ka shtuar se edhe sivjet do të ketë lëvizje pozitive në këtë drejtim.
“Siç tha dhe kryeministri, disa nga shtetet, si Egjipti dhe Tunizia, tashmë e kanë njohur Kosovën dhe po presim vetëm formalizimin e kësaj njohjeje. Kjo do të paraqesë një fitore të madhe dhe shpërblimin e investimit tonë shumëmuajsh për njohjen nga Egjipti”, ka shtuar Selimi.
Javën e kaluar Selimi publikoi në profilin e tij në rrjetin social Twitter lajmin e njohjes së pasaportave kosovare nga ana e Rumanisë, vendim ky që lehtëson lëvizjet e qytetarëve dhe e bën atë shtetin e dytë të BE që ndërmerr një hap të tillë pas Sllovakisë.
Top Channel