Andrea Stefani – Në rast se ka një dështim spektakolar të qeverisjes
8-vjeçare të Sali Berishës është pikërisht dështimi për të punësuar
shqiptarët dhe për të reduktuar papunësinë kronike. Në vitin 2005,
Berisha ka marrë votat e shqiptarëve edhe pse ka premtuar punësim të
plotë të tyre.
Sot janë statistikat, dhe jo shpifjet e opozitës, që provojnë se Kryeministri ka dështuar totalisht në mbajtjen e këtij premtimi. Po pa u skuqur aspak nga ky dështim me pasoja të rënda në jetën e qindra mijë shqiptarëve, Berisha po kërkon një mandat të tretë qeverisës duke u shpresuar te forca e gënjeshtrës. Ai po gënjen hapur lidhur me nivelin e punësimit në vitet e qeverisjes së tij duke harruar se janë vetë statistikat e prodhuara nga institucione si INSTAT, që ai i ka nën kontroll, që demaskojnë gënjeshtrën e tij. Ndërkaq, po përpiqet të maskojë premtimet e pambajtura për punësimin me premtime të reja. Por para se një Kryeministër dhe një qeveri të bëjnë premtime të reja duhet të shpjegojnë se përse nuk kanë mbajtur ato të vjetrat. Një qeveri votohet mbi të gjitha për ato që realizon dhe jo për ato që premton. Të besosh një qeveri që bën vetëm premtime të bukura do të thotë të besosh te fjalët dhe jo te veprat. Dhe kush u beson llafeve është i destinuar të zhgënjehet.
***
Çështja e punësimit dhe e reduktimit të papunësisë është thuajse aritmetike dhe nuk lë vend për spekulime politike. Mjafton të shqyrtohet se çfarë ka premtuar qeveria dhe çfarë ka realizuar nga këto premtime. Edhe ne këtë do bëjmë. Prandaj do t’u drejtohemi premtimeve të Berishës bërë në vitin 2005 kur por rikthehej në pushtet pas 8 viteve në opozitë. Është referenca më e favorshme për qeverinë, sepse ka pasur dy mandate në dispozicion për t’i realizuar këto premtime. Dhe në atë program të qeverisë “Berisha” të asaj kohe lexojmë: “Në projektin e saj për ndryshim, mazhoranca e re dhe qeveria e saj synojnë të krijojnë mundësi për punësim të çdo shqiptari. Papunësia, veçanërisht afatgjatë dhe e pashpresë, si urbane dhe rurale, e veçanërisht në nivelet alarmante të saj mes brezit të ri, trashëguar nga qeverisjet socialiste, përbën një kërcënim serioz social dhe një barrierë për zhvillimin e vendit. Papunësia dhe mungesa e shpresës për punë është një nga faktorët kryesorë të eksodit masiv emigrator të shqiptarëve”. Nuk ke ç’i thua, duken fjalë të arta. Dhe të vërteta. Por e keqja është se kanë mbetur të tilla edhe sot e kësaj dite kur Berisha ka mbushur 8 vjet si Kryeministër. Sepse ai ka dështuar në premtimin që të krijojë “mundësi për punësimin e çdo shqiptari”. Rrjedhimisht, papunësia afatgjatë mes shqiptarëve nuk është zhdukur. Ajo vazhdon të ruajë nivelet alarmante edhe mes brezit të ri, nivele që Berisha i denonconte në vitin 2005. Po për shkak të paaftësisë së qeverisë “Berisha”, papunësia vazhdon të prezantojë “një kërcënim serioz social, si dhe një barrierë për zhvillimin e vendit”. Një kërcënim që ndërsa në vitin 2005 e trashëgonim nga 8 vjet qeverisje socialiste sot në vitin 2013, e trashëgojmë prej 8 vjet qeverisje të dështuar të demokratëve me në krye Sali Berishën.
***
Nuk spekulojmë as edhe një grimë. Është aritmetika e fakteve që nuk na lejon. Bashkëngjitur me këtë shkrim është një tabelë që paraqet nivelet e punësimit dhe papunësisë që nga viti 1996-2012 sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë dhe Instituti i Statistikave (INSTAT). Dhe janë këto shifra publike që denoncojnë dështimin e qeverisë “Berisha” në çështjen e punësimit, por edhe gënjeshtrat e Berishës në fushatë. Berisha pretendon se ka punësuar 50 mijë vetë. Por statistika na tregon se krahasuar me vitin 2005 në vitin 2012 numri i të punësuarve ishte 5 mijë më pak. Ndërkaq, nuk duhet harruar se në vitin 2009 kur mori mandatin e dytë, Berisha premtoi të punësonte 160 mijë shqiptarë, premtim që sikundër ato të bëra në vitin 2005, rezulton i pambajtur. Edhe nivelet e papunësisë evidentojnë të njëjtën gjë. Ndërsa në vitin 2005 kishim 154 mijë të papunë, në vitin 2012 kishim 142 mijë ose 12 mijë më pak. Dhe a mund të quash sukses uljen në 8 vjet të papunësisë me 12 mijë njerëz? Është njësoj si të mos bësh asgjë. Ndërkohë, nuk duhet harruar se ka burime që nivelin e papunësisë në Shqipëri e llogarisin shumë më lart se ai i pranuar zyrtarisht nga qeveria. Kështu “CIA FactBook” hedh dyshimin se papunësia mund të shkojë deri 30 për qind për shkak edhe të mbizotërimit të fermerëve që mezi mbijetojnë. Dhe nuk mund të mos habitesh për këtë paaftësi të qeverisë për të punësuar njerëz kur shikon këmbënguljen e Kryeministrit në pohimin se jo vetëm Shqipëria nuk është prekur nga kriza botërore, por edhe se ajo ka pasur dhe ka një ekonomi entuziaste si rrallëkush në Europë! Por shihet që premtimet e Berishës janë llafe kazani që ai i harron sapo mbarojnë zgjedhjet ashtu sikundër harron dhe akuzat që u bën kundërshtarëve të tij për korrupsion. Dhe pas këtij bilanci katastrofik 8-vjeçar qeverisjeje, të besosh në premtimet e Berishës se do hapë 250 mijë vende pune, është si të besosh te një gënjeshtër që është provuar se është gënjeshtër!
Top Channel