Presidenti i Paris SG, Nasser al-Khelaifi, në një intervistë të dhënë për të përditshmen sportive franceze “L’Equipe”, 24 orë pas fitimit të titullit kampion të “Ligue 1”, pranoi se Reali i Madridit është vendosur në komunikim me ta për të kërkuar trajnerin Ancelotti.
“Përpara disa ditësh, drejtori i përgjithshëm i Realit (Jose Angel Sanchez) u vendos në kontakt me mua, për të folur rreth Ancelottit”, deklaroi sheiku al-Khelaifi.
“I thashë qartë se Carlo ka edhe një vit kontratë, prandaj kërkova më shumë respekt, për të mos përhapur zëra që mund të destabilizojnë klubin. Aktualisht, nuk kemi asnjë raport me Realin, por respekti është një e drejtë e jona për ta kërkuar”, shtoi al-Khelaifi.
Sipas sheiku, njëkohësisht president i PSG-së, pas këtyre fjalëve, drejtori i përgjithshëm i Realit i kërkoi ndjesë, duke i shpjeguar se mendonte që Ancelotti ishte në fundin e kontratës.
Megjithatë, një zbulim i tillë tregon se sipas të gjitha gjasave, rrugët e Mourinhos me Realin në sezonin e ardhshëm do të ndahen, ndërsa Ancelotti mbetet një prej emrave më të lakuar prej madrilenëve.
Top Channel