Kam një parandjenjë që po të vjen fundi, Berisha

12/05/2013 00:00

Mustafa NANO – Letër publike Sali Berishës

Kam një parandjenjë që po të vjen fundi, Berisha, e prandaj po ngutem të të shkruaj një letër publike (po të drejtohem në njëjës thjesht ngaqë kështu po më vjen, e jo për ndonjë shkujdesje të kërkuar etike). Kësaj letre mund t’i jepja dhe formën e një artikulli, por nuk di pse më vjen që të të drejtohem me një letër, sido që kohë më parë, me sa mbaj mend, kam bërë premtimin se nuk do të kem asnjëherë arsye për të të dërguar një letër të dytë publike. Letrën e parë, gjithnjë publike, ta kam shkruar vite më parë, dhe po aty thoja se nuk ka për të pasur një të dytë. Por nuk po e mbaj këtë premtim. Po ta dërgoj dhe një të dytë.

Të shoh që vjen vërdallë nëpër Shqipëri, i përndezur dhe i eksituar si njëzet e kusur vite më parë, dhe gati-gati më duket e pabesueshme që ti je akoma aty, në krye të asaj partie që ish e para që u ngrit kundër komunizmit, që kërkoi rrëzimin e atij regjimi, e që premtoi ndërtimin e një rendi demokratik. Më kujtohet një konferencë e jashtëzakonshme e PD-së fill pasi ti u zgjodhe President i Republikës, në të cilën do të zgjidhej kryetari i ri i PD-së (u zgjodh Eduardi, që ish kanakari yt). Në atë konferencë, ku isha dhe unë, po diskutoheshin dhe disa norma statutore, e teksa po flitej për mandatin e kryetarit të partisë, ishe ti që e more fjalën dhe hodhe e mbrojte idenë që “askush nuk duhej të qëndronte në krye të një partie më shumë se dy mandate të njëpasnjëshme; ne kemi dalë nga komunizmi, që dallohej më së pari për kultin e njëshit, për kultin e udhëheqësit, dhe ne duhet të ngrihemi dhe me statut kundër idesë që një njeri mund të jetë në krye të partisë më shumë se dy mandate”.

E mbaj mend mirë këtë moment, Berisha, dhe duhet të jetë me siguri në arkivat e Televizionit Publik Shqiptar, i cili, edhe sot në vitin 2013, si atëherë, i fillon lajmet me ty e i mbaron me ty. E mbaj mend edhe ngaqë nuk ish hera e parë që e dëgjoja të dilte nga goja jote një ide e tillë. Ma kishe thënë dhe në një bisedë që kemi pasur andej nga gushti i vitit 1991, në Skrapar. “Nëse ka një gjë që duhet t’i japim munxët, kjo gjë është kulti i njëshit”, më ke thënë në thelb.

E di? Kam besuar se mund të ndodhte dhe Armageddon-i këto vite, Berisha, por nuk kam besuar kurrë se njëzet vjet më pas, në vitin 2012, do të të shihja që të thoje në Parlament nga pozitat e kryetarit të PD-së e të Kryeministrit të vendit, se “edhe 35 vjet të tjera do të rrish në pushtet”. Nuk e kam besuar kurrë, se njëzet vjet më pas ti do të ishe duke drejtuar një fushatë elektorale në kërkim të një mandati të tretë kryeministror.

Përfytyroj sikur unë të isha larguar nga vendi pas asaj bisede që kemi bërë bashkë, dhe pas asaj konference partie, ku ti, medemek i velitur prej kultit të njëshit, ke mbrojtur idenë e stafetave të vazhdueshme nga njëri lider në tjetrin; përfytyroj sikur të kisha ikur pa nam e nishan, në një vend të largët, pa asnjë mundësi, apo pa asnjë dëshirë, komunikimi me Shqipërinë, dhe të kthehesha pikërisht në këto ditë e të të shihja ty në ekranin e televizorit, duke u kërkuar votat shqiptarëve. Nuk do t’u besoja syve, dhe ti i pari, madje ti më shumë se të gjithë, do mund të përfytyroje tronditjen time përballë faktit që Berishën, të cilin unë e kisha lënë President të Republikës e kryetar de facto të PD-së në vitin e largët 1992, po e shihja tani duke kërkuar mandatin e tretë për kryeministër.

“Çfarë mutin ka ndodhur në këtë vend?”, do pyesja, dhe ndonjë shqiptar, të cilin nuk e ka braktisur kujtesa (duket sikur kujtesa i ka lënë të gjithë, ç’është e vërteta), do më shpjegonte: “Kanë ndodhur shumë gjëra, pasi ike ti, i dashur. Berisha humbi një palë zgjedhje lokale vetëm pak muaj pas zgjedhjeve të marsit të vitit 1992. Më pas, humbi një referendum, të cilin ai e shpiku për të miratuar një Kushtetutë të vetën. Ndërkohë, kish zënë të ndërtonte një regjim. Kontrollonte gjithçka, Partinë Demokratike, Parlamentin, qeverinë, policinë, ushtrinë, bankat, institucionet, administratën, shërbimet sekrete që u bënë një strukturë e ndyrë përndjekjeje ndaj opozitarëve, Televizionin Publik Shqiptar, improvizoi një ekonomi tregu të kontrolluar politikisht, dhe të gjithë këtë pushtet e përdori për të vjedhur zgjedhjet e vitit 1996, të 26 majit, e për të rrahur deputetët opozitarë në sheshin ‘Skënderbej’ më 28 maj; e kështu e trashi zullumin; u desh dhe falimentimi i firmave piramidale, që bota të fillonte t’i rrëshqiste nën këmbë. Për të shpëtuar veten, futi vendin në luftë, provokoi kaosin, hapi depot e armëve të ushtrisë, dhe pas kësaj, … gjeti strehë në opozitë, ku nuk la gjë pa bërë për tetë vjet me radhë. Dhe pas tetë vitesh, shfrytëzoi lodhjen e shqiptarëve prej një qeverie të korruptuar, shfrytëzoi dhe përçarjen e kundërshtarëve, dhe rierdhi në pushtet, për ta rindërtuar nga e para atë që nuk e lanë ta çonte deri në fund herën e parë. Por këtë radhë, rierdhi me idenë e përkohshmërisë, e prandaj iu fut plaçkitjes, mobilizoi dhe gruan e fëmijët për të bërë pará, e duke qenë se gjërat i dolën nga kontrolli (djali ‘i rezultoi’ ortak në një biznes ilegal, i cili ia bëri ‘buuum’ një ditë, dhe … la 26 të vdekur), ai zuri të riprojektonte, dhe këtë herë jo me maskën e një idealisti putativ (si në vitin 1992), por me fytyrën, dhe nga nevoja, e një horri 24 karatësh (siç është gjithë ditën e ditës), zuri të riprojektonte pra idenë e pushtetit të përjetshëm. Dhe një ditë s’e pati për gjë të vriste në bulevard katër qytetarë të pambrojtur, të parrezikshëm, për fajin e vetëm se nuk e donin qeverinë dhe se kishin dalë të protestonin kundër tij. Dhe pikërisht ky njeri po kërkon tani mandatin e tretë kryeministor”.

Për fat të keq, Berisha, këto bëma të tuat nuk është se m’i ka thënë ndokush. I kam jetuar vetë, një e nga një, e prandaj mezi po pres fundin tënd. Dhe këtë herë është njimend fundi. Nuk është se e di. Thjesht e parandiej. Nuk ke se ç’bën më. Nuk do të hyjnë në punë armët që ke në dorë, paratë, policia, SHIK-u, gjykatat, KQZ-ja, miqtë ndërkombëtarë, që i ke blerë me paratë tona, ca kolegë të mitë që i shoh po aq të përkushtuar sa ty në këtë betejë të fundit tënden, bandat e militantëve-gangsterë që do të pushtojnë rrugët e qyteteve të Shqipërisë, apo dhe rrjetet sociale, blogjet e gazetat online, etj., etj.

E në këtë pikë, nuk di pse më vjen të të jap një këshillë: Mos i prek zgjedhjet! Ke ardhur në politikë me ndihmën e zgjedhjeve të lira të bëra nga komunistët, dhe do të të duhej veç minimumi i minimumit të cipës, të skrupujve, e të ndjenjës së detyrës (e ke këtë minimum të minimumit?) që “të mos ikje nga politika me zgjedhje të vjedhura e të prishura, të cilat ti na i fute si flamë në praktikën tonë politike”. E di që s’varet gjithçka nga ty, pasi strukturat e institucionet i ke ndërtuar me frymën e me logjikën e ndërtimit të një bande, e rrjedhimisht mund të të dalin dhe duarsh, por bëj çmos t’ua mbash dorën (pasi të mbash tënden, në radhë të parë). Nuk duhet ta mbyllësh këtë punë “duke vjedhur dhe një herë zgjedhjet”, pasi nuk është se kështu e shmang fundin. Përkundrazi, e bën fundin shumë më dramatik. Mund ta shtysh pak në kohë, ca muaj ndoshta, por me vjedhjen e zgjedhjeve nuk ke për të zgjidhur asgjë.

Njerëz që të njohin mirë po më thonë se edhe pas humbjes, ti do të mbetesh në politikë, do të qëndrosh në krye të PD-së. Por unë nuk e besoj se do të rrish. Nuk e di se ç’zgjidhje ke menduar, por nuk besoj se e sheh si opsion qëndrimin në krye të PD-së. Jo se s’mund të rrish. E kush do të të pengonte? Por ti nuk do rrish, ngaqë nuk është një gjë që të vlen. Përsëris: s’e kam idenë se çfarë do bësh, dhe unë vetë, sikur të të kisha mik, s’do isha në gjendje të të jepja ndonjë këshillë. Por ky është problemi yt. Se ç’do ndodhë me ty pas ikjes nuk është problemi ynë. Problemi ynë do të mbetet kjo Shqipëri që ti na lë trashëgim, kjo Shqipëri që ka fytyrën dhe frymën tënde në çdo qoshe, kjo Shqipëri e përçarë në të gjitha pikëpamjet. Problemi ynë është dhe klasa politike që do vijë pas teje, e që do të marrë në dorë fatet e kësaj Shqipërie. Por le t’i marrim gjërat me radhë e me sërë. Të mbyllim hesapet me ty njëherë. Për të tjerat kemi kohë.

Marre nga e perditshmja “Shqip”

Top Channel