Një sistem klientelist që duhet ndryshuar

11/05/2013 00:00

Skender Minxhozi – Është mbyllur një javë, në të cilën kemi mësuar rreth 90% të emrave të deputetëve në Kuvendin e ardhshëm.

Dy shefat e partive të mëdha, Sali Berisha dhe Edi Rama, janë takuar formalisht me forumet e tyre drejtuese mbrëmjen e 6 majit, pasi kishin vendosur ata vetë, personalisht, se cilët do të ishin garuesit e 23 qershorit. Ironia e atyre që thanë me këtë rast se në ditën e votimeve do të votojmë për nja dhjetë kandidatë, e jo për 140 të tillë, nuk ka qenë kurrë më e vërtetë dhe më pranë realitetit sesa sot.

Jashtë listës së koalicionit qeveritar kanë mbetur mbi 30 deputetë të legjislaturës aktuale. Figura të vjetra të PD, katër krerë komisionesh parlamentare, emra të njohur e plot influencë, e kanë parë veten ose të përjashtuar, ose në zonën e errët të listave nëpër qarqe. Ndërkohë, janë shfaqur në listë dy prezenca të reja, të papritura deri pak javë më parë: tre deputetë të PS të marrë “në pajë” nga Berisha teksa mbyllte vrimat e hapura nga ikja e LSI-së dhe disa krerë partish të vogla, të cilët mund t’i gëzohen qysh tani mandatit të ri. Siç ndodh rëndom, për shkak të “prizmit” hileqar të mediave proqeveritare, ku përthyhet informacioni i ditës, ky kompleksitet i listës së koalicionit qeveritar u analizua pak e në mënyrë sipërfaqësore.

Kjo nuk e bën gjithsesi më të lehtë e pa probleme, situatën ku ndodhet aktualisht qeveria, në raport me vetë garën e 23 qershorit. Së pari, largimi i një numri të madh figurash nga lista me dorën e Berishës, pritet të japë një kosto të caktuar në të gjitha zonat prej nga vijnë deputetët në fjalë. Kjo është një aksiomë e pashkruar e çdo fushate. Së dyti, përfshirja e socialistëve në listë, duke i vërvitur ata mbi kokat e Rusmalit, Markut, Demit e Bejës, është një operacion tjetër me risk të lartë elektoral. Reagimi impulsiv dhe nervoz i disa prej figurave të vjetra të PD gjatë këtyre ditëve, pasqyron vetëm një pjesë të problemit që krijon përfshirja e ish-socialistëve në listën e qeverisë.

Së treti, por jo më pak e koklavitur, duket futja në zonë të sigurt kandidimi për një numër kryetarësh të partive aleate. Berisha deklaroi se aleatët i kishin sjellë një lumë votash në vitin 2009, prandaj edhe i “begenisi”. Dakord, por kësaj radhe ai bën sikur harron se u ka dhënë Mediut, Ndokës e Shehit nga një mandat të sigurt në dorë, duke bërë që listat e tyre të ekspozohen ndaj rrezikut të uljes së ritmit të fushatës, kursimit të fondeve dhe demotivimit, sipas devizës “Kuvendin e fituam, kot të lodhemi”.

Përballë kësaj tabloje qëndron lista tjetër rivale, ajo e opozitës së bashkuar. Siç është e zakonshme për të majtën, edhe kjo copë letër me emra që u dërgua në KQZ, ashtu si të tjerat para saj, ka prodhuar shumë zhurmë, pasion e debate brenda partisë më të madhe të opozitës. Nëse Berisha nuk do të ketë asnjë nga deputetët e përjashtuar përballë, si kandidatë të pavarur apo të kandiduar në lista të tjera, Rama nuk e ka shmangur dot këtë dukuri, me gjithë orën e vonë të dërgimit të listave në KQZ. Dy deputetë të pavarur dhe një i tretë i kandiduar me PR, janë pasoja ekstreme e reaksionit që krijoi përzgjedhja e emrave nga kreu i PS. Ndërkohë, një numër parlamentarësh deri dje aktivë, u përjashtuan shpesh pa marrë asnjë koment apo motivacion për lënien e tyre jashtë liste. Është lehtësisht e parashikueshme se edhe e majta do ta vuajë këtë dritëshkurtësi që u tregua në ndërtimin e ekipit të saj elektoral. Duke pasur parasysh ekuilibrin e vetvetishëm që krijon sistemi mes dy grupimeve, kostoja e emrave të lënë jashtë rrezikon ta tkurrë përmasën e fitores së pritshme të opozitës në 23 qershor. Një rrethanë kjo aspak e këndshme, për një panel politik që pretendon të veprojë ndryshe nga Berisha.

Deformimi politik, moral e njerëzor që ka sjellë sistemi aktual i përpilimit të listave të kandidatëve, ka kapur edhe parti ku në kushte normale s’do të duhej të kishte vend për sherre dhe rivalitete të ndezura. Ajo që ndodhi në mbrëmjen e 6 majit në selinë e FRD, me përjashtimin de facto nga lista e Tiranës të nënkryetarit të partisë Aleksandër Biberaj dhe të gazetarit të njohur, Afrim Krasniqi, dëshmoi se mentaliteti i privatizimit të listave e dominon edhe Bamir Topin. Në këtë pikë ai tregoi se nuk ndryshon asnjë gram nga “krerët e partive të vjetra”, siç preferon të shprehet gjithmonë ish-presidenti.

Ndërtimi i një ekipi elektoral është një ushtrim i vështirë demokracie, për çdo parti politike. Sidomos kur kjo parti synon pushtetin. Skema klienteliste e hartimit të listave që pamë, ka dështuar totalisht në sytë e opinionit publik dhe si e tillë duhet ndryshuar një orë e më parë. Mbushja e listave me ushtarët besnikë të kryetarëve, pasditen e fundit të afatit kohor, duke përdorur kritere përjashtuese totalisht bizantine për të padëshiruarit, shënon një etapë shqetësuese të degjenerimit të jetës politike në Shqipëri. Shfaqja e shëmtuar në të cilën asistuam në javën që po mbyllet, është një ndër pasojat karikaturale të kodit aktual të zgjedhjeve dhe më gjerë akoma, të deformimeve që ka pësuar ndër vite sistemi politik në Shqipëri. Nëse rekrutimi i përfaqësuesve më të lartë të popullit bëhet pa asnjë kriter, motivacion dhe kolegjialitet, Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë të jetë streha e të fortëve, hileqarëve dhe shurdhmemecëve. Për fat të keq, ky do të jetë rasti edhe pas datës 23 qershor 2013.

Gazeta “Shqip”

Top Channel