
Zv.ministri i Jashtëm i kosovës, Petrit Selimi publikoi në profilin e tij në rrjetin social Twitter lajmin e njohjes së pasaportave kosovare nga ana e Rumanisë.
Rumania nuk njeh pavarësinë e Kosovës, por njohja e pasaportave të saj, lehtëson lëvizjet e njerëzve dhe e bën atë shtetin e dytë të Bashkimit Europian që ndërmerr një hap të tillë, pas Sllovakisë.
Tre janë vendet e Bashkimit Europian që nuk njohin pasaportat e Republikës së Kosovës, Spanja, Greqia dhe Qipro, ndërkohë që 5 janë anëtaret e Unionit që nuk njohin pavarësinë, tre të lartëpërmendurat dhe Rumania e Sllovakia.
Pasaportat e Kosovës njihen edhe nga shumë shtete të tjera që nuk kanë ndërmarrë hapin e njohjes së pavarësisë së shtetit të Kosovës. Mes këtyre vendeve është edhe Kina që një hap të tillë e ka ndërmarrë pak kohë më parë.
Pavarësia e Kosovës njihet nga më shumë se 90 shtete, ndërsa njohjet e pasaportës së Republikës së Kosovës tejkalojnë 100 shtete.
Top Channel