Jo pa qëllim Rama mbërriti në qytetin bregdetar, ku pritet një garë e fortë elektorale mes koalicionit të majtë dhe atij të djathtë, duke shtuar edhe faktin e kandidimit të Agron Dukës për republikanët e Mediut.
14 kandidatët socialistë për deputetë të qarkut të Durrësit kanë përshëndetur, duke shpalosur vizionin e tyre. I pari i listës së Durrësit, deputeti Klosi, tha se ta nisësh këtë betejë elektorale nga ky qytet bregdetar është mbarësi.
“Ne kemi edhe 45 ditë nga dita e zgjedhjeve. Për ne, ekipi përfaqësues i qytetit të Durrësit dhe qarkut të Durrësit, 45 ditë do të jenë ditë të palodshme për t’i shpjeguar qytetarëve çdo arsye pse qytetarët duhet të votojnë programin e Rilindjes shqiptare”, tha Klosi.
I ndërprerë disa herë nga ovacionet, Edi Rama e nisi fjalën e tij duke thënë se në ditën e Europës ai ndihej krenar të ishte në qytetin, portën shqiptare të Europës, Durrësin. Rama ka vlerësuar ekipin e kandidatëve të Durrësit, të cilët do të përfaqësojnë nevojën për ta çuar përpara këtë qytet.
“Nga kjo tribunë, dua t’ju shpreh bindjen time të plotë, se kështu siç jemi sot, më të shumtë e më të bashkuar se kurrë, në koalicionin e Aleancës për Shqipërinë Europiane, ne do t’ia dalim që në Durrës dhe qarkun e Durrësit të realizojmë një fitore historike për të majtën e bashkuar dhe për të gjitha forcat opozitare, e për çdo individ”, u shpreh Rama.
Rama ka rendidur një sërë arsyesh, përse Durrësi duhet t’ia besojë votën alternativës së Rilindjes.
“Durrësi ka shumë arsye, që në 23 qershor të votojë Partinë Socialiste. Arsye që janë në librat e borxheve të ushqimoreve. Arsye që janë në duart e atyre, që kanë hapur një biznes të vogël për t’u vetëpunësuar, dhe që janë të mbytur nën presionin e një pushteti, që nuk do t’ia dijë për njeriun e zakonshëm në Shqipëri. Janë ditë të numëruara dhe në këto ditë, çdonjëri prej nesh duhet të shkojë derë më derë, duhet të kërkojë votën për të ndryshuar njëherë e përgjithmonë Shqipërinë. Falemnderit!”, përfundoi Rama.
Kreu i PS Rama nuk harroi të vlerësojë dhe falënderojë tre deputetët, që nuk do të garojnë në këto zgjedhje, Gazmir Bizhga, Azir Gashi dhe Edison Konomi për angazhimin e tyre.
“Falenderoj Gazmir Bizhgën dhe gjithë të tjerët që kanë qenë pjesë e betejës sonë. Mirënjohje gjithë skuadrës që ka marrë përsipër zonën e Durrësit. Shpreh bindjen e plotë se kështu siç jemi sot, ne do t’ia dalim që në Durrës të arrijmë një fitore historike”, ka deklaruar Rama.
Kandidatët e PS në qarkun e Durrësit janë:
1. BLENDI KLOSI
2. KLODIANA SPAHIU
3. ILIR BEQAJ
4. NAMIK DOKLE
5. GENTIAN BEJKO
6. ARTUR BUSHI
7. SHKELQIM TROPLINI
8. JURGIS ÇYRBJA
9. SOKOL SULA
10. ARDIAN KOKOMANI
11. GËZIM AGASI
12. TAULAND XHERAJ
13. ERALD HASANAJ
14. ESMERALDA SHKJAU
Top Channel