Marrëveshja Kosovë-Serbi e arritur më 19 prill ka nevojë për interpretim autentik nga dy kryeministrat dhe përfaqësuesit e BE-së, të cilët do të nënshkruajnë edhe planin e zbatimit të saj.
Kështu deklaroi zëvendëskryeministri kosovar Hajredin Kuçi, një ditë pas kthimit nga Brukseli. Kjo pritet të bëhet gjatë këtij muaji, ndërsa është përmendur data 21 maj kur dy kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç pritet të takohen në Bruksel.
“Unë besoj se brenda majit, ndoshta më datë 21, do jetë takimi dhe besoj se në të do të arrihet plani. Delegacioni i Serbisë nuk ka mundësi të pranojë një plan të tillë, por ka fuqi që ta shtyjë çështjen dhe të japë përshtypjen se po zbatohet marrëveshja”, deklaroi Kuçi.
Sipas zotit Kuçi, zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit hap mundësi për diskutimin e temave të tjera, si të pagjeturit, dëmet e luftës e deri në përfundim të asaj që ai e quan “traktat i paqes” mes dy shteteve, por duke mos lënë anash këtu shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Ne dëshirojmë të kemi një raport të normalizuar Kosovë-Serbi. Ne nuk e harrojmë çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe kur i kemi të normalizuara marrëdhëniet me Serbinë, çështja e tyre mund të zgjidhet më lehtë”, nënvizoi Kuçi.
Për delegacionin e Kosovës ka qenë e papranueshme diskutimi për Kishën Ortodokse në Kosovë, pasi kjo konsiderohet e rregulluar me pakon e Ahtisarit.
Po kështu, delegacioni kosovar ka refuzuar kërkesën e palës serbe që strukturat e sigurisë në veri të inkuadrohen në institucionet e Kosovës pa u verifikuar.
Top Channel