OKB: Akordi SHBA-Rusi, shpresë për Sirinë

08/05/2013 15:25

Kryenegociatori i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Lakhdar Brahimi, përshëndeti marrëveshjen e arritur midis SHBA-së dhe Rusisë, për të punuar së bashku për t’i dhënë fund luftës së përgjakshme civile në vendin e Lindjes së Mesme.

Në një prononcim, Brahimi e cilësoi këtë marrëveshje të arritur në Moskë si një “lajm shpresëdhënës”, por paralajmëroi se “është vetëm hapi i parë” drejt gjetjes së një zgjidhje.

Ditën e martë, SHBA dhe Rusia ranë dakord për të ndërmjetësuar mbajtjen e një konference ndërkombëtare, e cila do të ketë si synim arritjen e një kompromisi politik rreth Sirisë.

Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, premtoi se do të përdorë të gjithë ndikimin e Uashingtonit, për të inkurajuar Damaskun dhe kryengritësit që të përfshihen në bisedime.

Në fjalën e tij, Brahimi kërkoi nga dy superfuqitë që akordin e tyre mbi Sirinë ta reflektojnë edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku çështja siriane ka ngecur prej kohësh, si pasojë e ndasive që janë shoqëruar me vendosje vetosh mbi propozime të caktuara nga secila palë në të shkuarën.

Sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më shumë se 70 mijë persona kanë humbur jetën në konfliktin e deritanishëm në Siri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA