Shtyhet sërish gjyqi i Dritan Dajtit

07/05/2013 00:00

Procesi gjyqësor për zbardhjen e vrasjes së katër punonjësve të Policisë
së Shtetit në muajin gusht të vitit 2009, vijon të zvarritet në
Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Megjithëse janë zhvilluar më shumë se 200 seanca, Kolegji Penal nuk ka arritur të administrojë provat e akuzës dhe mbrojtjes, duke u “dorëzuar” pas këtyre procedurave, të cilat kanë sjellë pështjellim në sistemin e drejtësisë, pasi askush nga avokatët e zgjedhur nuk ka preferuar të mbrojë Dritan Dajtin.

Madje, edhe KLD-ja, apo Ministria e Drejtësisë, nuk ka zgjidhur dot ngërçin, i cili duket shumë i koklavitur për palët në këtë proces, megjithëse janë hedhur shumë mundësi që ky proces të zhbllokohet. Gjykata, në një komunikim me mediat, hodhi mundësinë që procesi të zhvillohet pa avokat mbrojtës. Por, ky propozim nuk gjeti mbështetje dhe kolegji bëri kthim pas.

Dje, sërish dy avokatët e caktuar nga gjykata nuk u paraqitën në gjyq, pasi ftuesi nuk kishte arritur t’i gjente. Po si ka mundësi që dy avokatë të zhduken dhe të mos lënë asnjë gjurmë, në një kohë që mbrojtësit ligjorë kanë adresë banese dhe zyre, madje edhe telefon publik. Gjykata argumenton se avokatët nuk marrin pjesë në gjykim me dashje, ndërsa për çdo seancë, Kolegji i ka dërguar letër Dhomës Kombëtarë të Avokatisë të marrë masa ligjore ndaj tyre.

Deri më tani vetëm një avokat është proceduar, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë marrë paralajmërime. Megjithatë, ajo që vërehet është se “faji” nuk është i avokatëve, të cilët ende nuk kanë bërë ndonjë deklaratë përse nuk e mbrojnë këtë të pandehur, pasi lekët për çdo seancë i jep shteti.

Top Channel