A do të paguajë Majko taksa në Kosovë?

06/05/2013 00:00

ANDREA STEFANI – “Ka shumë shqiptarë të Kosovës që duan të jenë shtetas
të Republikës së Shqipërisë, por mos harrojmë se ka edhe ca në krahun
tjetër, si puna ime, që këtë anë të kufirit e konsiderojnë Atdheun e
tyre, popullin e tyre” – ka deklaruar Pandeli Majko gjatë një vizite në
Kosovë.

Kryeministri Hashim Thaçi ka shpjeguar se, përjashtuar vonesave burokratike, kjo është një punë e mbyllur, madje e ka uruar Majkon për shtetësinë kosovare. Pas këtij reagimi të Thaçit, ka qenë Majko që ka shtuar si me shaka se tani Kryeministri i Kosovës mund ta pyesë se për kë parti do të votojë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë. Dhe nuk ka asgjë për të sharë në këtë ngjarje, përveç faktit se Shqipëria ndodhet në prag zgjedhjesh historike dhe se Kryeministri Berisha ka shfaqur lakminë për të shtuar radhët e mbështetësve të tij, tashmë të rralluar pas 8 vjet qeverisje të dështuar, me votues të ardhur nga Kosova. Së fundi, po dalin dëshmi të tjera që provojnë se Berisha ka sjellë paramilitarë nga Kosova për të marrë me puç pushtetin në vitin 1998. E përse të mos importojë votues? Aq më tepër kur, ashtu si Majko Kosovën, edhe ata e konsiderojnë Republikën e Shqipërisë atdheun tyre, popullin e tyre. Pra pse të mos bëhet ajo që lakmon Berisha, që disa mijëra kosovarë të pajisur me pasaporta të Republikës së Shqipërisë, të vijnë e të votojnë për Berishën në atdheun e tyre, bashkë me popullin e tyre?

***

Askush nuk e vë në dyshim natyrën atdhetare të Majkos si politikan, natyrë që u demonstrua fort në ditët e vështira të luftës së Kosovës. Madje nuk mund të mos habitesh se ç’nevojë ka një njeri me reputacion të gjerë patriotik si Majko, t’u demonstrojë kosovarëve dashurinë duke kërkuar shtetësinë kosovare? Përgjigjen mund ta gjesh te një tjetër gjë e habitshme, te fakti që edhe pse tashmë është provuar se Berisha ka furnizuar me naftë Millosheviçin, ka etiketuar si terroriste UÇK-në, ka sugjeruar të mos nënshkruhet marrëveshja e Rambujesë, përsëri ai perceptohet nga shumica e kosovarëve si atdhetari më i madh shqiptar! E megjithatë kjo supremaci e Berishës që i ka rrënjët në një simpati lokaliste që shfaqin ndaj tij jo pak kosovarë, nuk mund të zhbëhet me gjeste populiste, si ky i kërkimit të shtetësisë kosovare nga Majko, që në fund fare u shërbejnë intrigave të Berishës për pushtet.

***

Çështja që po shqyrtojmë është disi e komplikuar, për shkak të rrafsheve të ndryshme kuptimore që kanë fjalët “komb”, “popull”, “atdhe”, “shtet”, “sovran”. Përgjithësisht, dhe jo vetëm në të folurën e përditshme, por edhe në disa trajtesa teorike, ka një prirje për t’i barazuar apo ngatërruar ato me njëra-tjetrën. Por në praktikën politike shpesh nuk ndodh kështu. Ai që quajmë Atdheu mund të jetë i ndarë në disa shtete. E tillë është Shqipëria sot, por e tillë ishte Gjermania gjatë viteve të Luftës së Ftohtë. Në këtë kuptim ka situata kur ndonëse mund të kemi një atdhe të përbashkët, ndonëse mund t’i përkasim një kombi, nuk i përkasim të njëjtit shtet dhe, në kuptimin politik, jo të njëjtit sovran, jo të njëjtit popull. Kjo është situata që kanë shqiptarët sot, pavarësisht ku ndodhen. Atdheu i tyre është Shqipëria. Dhe Shqipëria nuk është vetëm Republika e Shqipërisë. Ata janë pjesëtarë të një kombi, atij shqiptar. Por ata janë të ndarë në shtete të ndryshme. Për shembull, kosovarët janë anëtarë të Republikës së Kosovës, ndërsa shqiptarët këtej kufirit, janë anëtarë të Republikës së Shqipërisë. Barazimi i termave “komb” dhe “shtet” ka çuar në krijimin e pretendimeve, absurd në pikëpamjen time, se me krijimin e Republikës së Kosovës tashmë kemi dy kombe shqiptare, një ai i Republikës së Kosovës dhe një tjetër ai i Republikës së Shqipërisë. Në fakt shqiptarët, pavarësisht se në sa shtete ndodhen të ndarë sot, janë një komb.

***

Ndërkaq jo pak ngatërresa sjell barazimi jo realist i termave “komb” dhe “popull”. Të qenët një komb i vetëm nuk duhet të na bëjë të mos dallojmë se duke i përkitur aktualisht shteteve të ndryshme shqiptarët i përkasin sovraniteteve politike të ndryshme pra, popujve të ndryshëm. Republika e Kosovës ka sovranin e vet që është populli i Kosovës dhe Republika e Shqipërisë ka sovranin e vet që është populli i Shqipërisë. Në këtë kuptim unë, si pjesëtar i sovranit, i popullit në Shqipëri, nuk mund të pretendoj të jem pjesëtar edhe i sovranit në Kosovë, i popullit në Kosovë. Në sensin kombëtar kemi të gjithë të drejtën të ndihemi një, por në rrafshin shtetëror, pretendimi është absurd dhe me pasoja negative në jetën politike në të dyja shtetet, veçanërisht kur në qarkullim ka politikanë si Berisha që mezi presin të peshkojnë në ujëra të turbullta. Sepse, nëse jemi një popull, një sovran përse duhet të kemi dy parlamente, dy palë zgjedhje, dy qeveri, dy kryeministra, dy politika të jashtme etj.?

***

E megjithatë, a nuk ka të drejtë një shqiptar si Majko a kushdo tjetër qytetar i Republikës së Shqipërisë, të kërkojë të jetë shtetas në Kosovë? A ka të drejtë një kosovar, kushdo qoftë, të kërkojë të jetë pjesëtar i sovranit në Republikën e Shqipërisë. Pa asnjë dyshim! Jo vetëm këta, por edhe një kinez, arab, amerikan, spanjoll, gjerman apo indian. Por këtu ka një problem. E drejta për t’u bërë pjesëtar i një shteti, i një republike, i një sovrani, e drejta për të vendosur me votë se cilët do të jenë ata që do të qeverisin në emër të sovranit përfshin edhe disa detyrime. Një nga ato, dhe më minimalja, është që të kontribuosh për sovranin, për shtetin, duke paguar taksa. Sepse nuk ka asnjë kuptim që unë në Tiranë të bëhem shtetas kosovar duke marrë thjesht një pasaportë dhe kur të vijë koha e votimeve të ndikoj me votën time se kush do t’i qeverisë kosovarët, edhe pse vetë nuk paguaj as edhe një grosh në favor të buxhetit publik të Kosovës. Të mos paguash taksa për qeverinë, por të kesh të drejtën të vendosësh se kush do të qeverisë është njësoj si të kërkosh të marrësh pjesë nga fitimi i një kompanie, edhe pse nuk ke as edhe një aksion të investuar në kapitalin e saj. Shekuj më parë, amerikanët e SHBA-së u ngritën kundër Britanisë me parullën: Nuk mund të ketë taksim pa përfaqësim! Sepse britanikët i taksonin, por nuk i lejonin të kishin përfaqësues në Parlamentin britanik. Këtë padrejtësi e zgjidhi lufta që i dha pavarësinë SHBA-së. Por është po aq e padrejtë të kërkosh përfaqësim pa taksim. Kush nuk paguan, nuk kontribuon me taksa në të mirë të një shteti (përjashtuar shtetasit e papunë apo ata që kanë emigruar), është absurde të pretendojnë të drejtën për të vendosur se kush do ta qeverisë atë. Do një shtetësi të dytë? Atëherë bëhu gati të paguash edhe një palë taksa! Ja përse e pyesim Majkon, a është i gatshëm të paguajë taksa edhe në Kosovë?

Gazeta “Shqip”

Top Channel