Kur për Njaziun…

05/05/2013 00:00

SKËNDER MINXHOZI – Para tri ditësh, pas kuintave të politikës dhe diplomacisë në Tiranë, është konsumuar një përplasje sa e fortë, aq edhe e shurdhët.

Krerët e opozitës dhe diplomatët më të lartë të kryeqytetit, janë përfshirë për disa orë në evitimin e një konflikti të hapur politik, që lidhej me tentativën hileqare të qeverisë për të nxjerrë nga gara partinë çame që është rreshtuar në opozitë, Aleancën Popullore. Ishte një goditje “poshtë brezit” e cila dështoi, falë toneve të ashpra të opozitës dhe vullnetit të ndërkombëtarëve për të mos e lënë të përhapej këtë farë të re krize, në tryezën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Vetëm 24 orë më pas, në një sfond krejt tjetër, u konsumua e njëjta filozofi abuziviste me pushtetin dhe ligjin. Në një godinë ku ishin ndërruar edhe bravat e dyerve (çfarë banaliteti!), shumica e këshilltarëve të këtij këshilli u detyrua të votojë e vetme në kushte të improvizuara, mocionin e largimit për kreun e mbetur në minorancë, Njazi Kosovrasti. Megjithëse nisma e këshilltarëve socialistë dhe atyre të LSI ishte formuluar sipas të gjitha procedurave, bashkia dhe vetë Kosovrasti bënë veshin e shurdhët, duke njoftuar se votimi ishte i pavlefshëm dhe se këshilltarët “e dhunshëm” do të paditeshin. Mënyra më e mirë për një kryetar këshilli bashkiak në minorancë, për të evituar problemin themelor: ndryshimin e shumicës në Këshillin Bashkiak. Që do të thotë edhe fundi i mandatit të tij.

Dy ngjarjet e mësipërme janë pjesa fundore e një liste të gjatë abuzimesh, shkeljesh dhe aktesh të dhunshme në raport me ligjin, që shumica e sotme po konsumon pa u merakosur shumë se çfarë thonë dhe mendojnë ata që po asistojnë në këtë paradë arrogance të pushtetit. Dhe spektatorët në këtë rast janë qytetarët e këtij vendi dhe ata që gjerësisht i kemi konsideruar si garantët e demokracisë tonë të korruptuar: ndërkombëtarët. Qeveria po përpiqet me të gjitha mjetet, që të mbajë dhe menaxhojë pushtetin që ka, edhe duke tejkaluar kompetencat, edhe shkelur ligjet. E gjitha kjo, në vijim të një procesi të gjatë të “prenotimit” të shtetit nga një parti e vetme. Mjafton të kujtojmë fare shkurt sesi PD ka kapur në katër vjetët e fundit për fyti, praktikisht të gjitha pushtetet dhe institucionet që kanë peshë dhe vlerë në këtë vend.

Kemi një presidencë të politizuar, siç na thotë ambasadori amerikan, Arvizu, e s’ka si të jetë ndryshe kur kujton sesi Bujar Nishani u zgjodh para një viti dhe sesi ai, me një lehtësi shokuese, por ribën në rrugë antiligjore, balancat më të larta të sistemit të drejtësisë, sipas shijes politike të partisë së tij. Kemi gjithashtu një KQZ farsë, vazhdon i njëjti diplomat, e nuk mund të jetë ndryshe, kur sheh sesi e larguan me dhunë kartonësh, komisionerin e LSI, të zgjedhur nga e njëjta mazhorancë, vetëm pak kohë më parë. Kemi gjithashtu një Kryetare Parlamenti, e cila “abuzon politikisht me postin”, siç shkruhet në një raport progresi të Komisionit Europian të dy viteve më parë. Nuk ka si të ndodhë ndryshe, me personazhin karikatural që ka drejtuar në mënyrë po aq karikaturale Kuvendin e Shqipërisë, në këto tetë vjetët e fundit.

Lista mund të vazhdojë më tej me median publike, Televizionin Shqiptar, një institucion jashtë kohe dhe hapësire, që vazhdon të kultivojë një servilizëm ngjethës për qeverinë, me paratë publike edhe të atyre që qeverinë duan ta shohin të rrëzuar një orë e më parë (e që nuk janë pak, por fiks gjysma e popullit taksapagues). Mund të vazhdohet më tutje me përdorimin masiv të shtetit dhe administratës së tij në fushatë, duke nisur nga shkollat, spitalet, institucionet e varësisë në Tiranë dhe jashtë saj. Ministritë dhe agjencitë që varen prej tyre, megjithëse mbajnë stemën e republikës në thilenë e xhaketës, nuk e kanë asfare problem të përfshihen drejtpërdrejt në polemika politike me çdo përfaqësues të opozitës, tamam si shtabe elektorale, e jo si institucione të Republikës. Një aradhë zëdhënësish që garojnë mes tyre për gjuhën më të ashpër dhe më “kreative”, i përgjigjen Ramës, Metës e të tjerëve, si të ishin punëtorë partie, e jo përfaqësues institucionesh të shtetit.

Identifikimi i shtetit me partinë, ka arritur në fund të këtyre tetë vjetëve, në nivelet më të shëmtuara të groteskut. Nëse ka pasur dikur, në harkun e dy dekadave demokraci, një parti-shtet të instaluar në të gjithë arrogancën dhe shpërfilljen e saj, mos u lodhni shumë ta gjeni nëpër arkiva – hapni televizorin dhe shihni lajmet e radhës të TVSH.

Gara me këtë parti-shtet nuk mund të jetë as e lehtë dhe as e ndershme. Sepse ajo është thelb e pabarabartë. Kjo garë e deformuar në të gjitha aspektet e saj themelore, bën sot që KQZ të vazhdojë të tentojë provokimin e opozitës, përmes papërgjegjshmërisë ligjore e institucionale, ashtu sikurse ia lejon Bashkisë së Tiranës, të ndërrojë kyçet e dyerve, për të zgjatur edhe pak mandatin e perënduar të Njazi Kosovrastit. Një ngjarje në kufijtë e humorit, prej së cilës del megjithatë një dilemë që nuk të bën fare të qeshësh: kur për të hequr me vota kreun e Këshillit Bashkiak të Tiranës, duhen thyer dyert e bashkisë, çfarë duhet të ndodhë, për të hequr po me vota, qeverinë aktuale, më 23 qershor?!

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel