Pogradeci çel sezonin turistik

04/05/2013 00:00

Qyteti i Pogradecit ka celur sezonin turistik veror me një aktivitet të larmishëm ndërsa duket se sportet ujore do të jenë risia e kësaj vere në këtë liqen.

Qyteti i pozicionuar buzë liqenit ka sjellë përmes aktivitetit punime artizanale, ekspozita në pikturë  dhe gatime të vecanta. Nuk kanë munguar as aktivitetet kulturore e ato sportive duke sjellë një gamë të gjerë të gjithckaje që ky qytet mundëson për turistët.

Atmosfera festive ka dominuar për mëse 3 orë ku fëmijë e të ritur kanë kërcyer e kënduar në një ditë feste që ka konfirmuar nisjen e verës.

Nisjen për një sezon veror sa më të mbarë e ka dhënë kryetari i bashkisë Artan Shkëmbi i cili ndër të tjera ka theksuar se qyteti liqenor ka tejkaluar një sërë problematikash duke sjellë rritje të shifrave të turistëve.

Në aktivitetin e përvitshëm ka marrë pjesë edhe kreu i sapozgjedhur i komunës së Strugës Zijadin Sela.

Lëvizja e lirë e qytetarëve dhe mundësia e tyre për të kaluar kufirin me Maqedoninë vetëm me një kartë identiteti e paralelisht me këtë kalimi në shtetin grek me pasaportë duket se e ka shndëruar qytetin e Pogradecit në një pikë ndalimi për turistët të cilët nuk hezitojnë për të vizituar qytetin ku natyra ka harmonizuar gjithcka.

Top Channel