BSH: 33% e familjeve, borxh për t’u ushqyer

04/05/2013 00:00

Atë që nuk e pranon qeveria, apo nuk e thotë dot hapur guvernatori, e
pasqyron më së miri konsumatori shqiptar, tashmë i prekur nga kriza dhe
me tendencë përkeqësimi të situatës.

Shqiptarët nuk marrin borxhe vetëm te bankat, por edhe te të afërmit, madje rastet e huave “te miqtë” janë shtuar. Shqetësues konsiderohet fakti se një pjesë e borxhit merret për t’u ushqyer dhe kjo sigurohet duke marrë hua para në dorë te të afërmit, si dhe me shënimin e emrit në listat e dyqaneve.

Përmes një ankete, realizuar duke pyetur 1210 familje të shpërndara në 16 rrethe të ndryshme të vendit, në periudhën nëntor-dhjetor 2012, mësohet gjendja e vështirë me të cilën përballen sot shqiptarët. Për të mbështetur vlerësimin mbi gjendjen financiare të familjeve dhe të bizneseve, Banka e Shqipërisë kryen çdo gjashtë muaj një vrojtim të posaçëm dhe e publikon si pjesë të raportit të stabilitetit financiar, i cili u prezantua dje për mediat.

Hua te të afërmit

Në totalin e familjeve të intervistuara, rreth 33% e kampionit (401 familje) pohojnë se kanë (në momentin e intervistimit) një hua të papaguar, çka përbën një rritje me rreth 2 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar (janar-qershor 2012). Në 45% të rasteve, familjet huamarrëse deklarojnë se e kanë siguruar huan nga burime formale, si “banka” (39%) dhe “institucione të tjera financiare jobanka” (6%). Kjo përbën një rritje me 2 pikë përqindje krahasuar me 6-mujorin e kaluar. Në 54% të rasteve, familjet huamarrëse deklarojnë se u janë drejtuar burimeve informale si “persona fizikë” (41%) dhe “hua nga dyqanet” (13%).

Nga 401 familje huamarrëse, rreth 7% e tyre kanë më shumë se një hua të marrë nga burime të ndryshme, kryesisht bankë dhe person fizik. Qëllimet kryesore të marrjes së huas nga familjet mbeten: “blerja/riparimi i një prone të paluajtshme” në 33% të rasteve, “konsumi” në 32% të rasteve dhe “zhvillimi i biznesit” në 15% të rasteve. Numri i rasteve që deklarojnë se kanë marrë hua me qëllim blerje/riparim të një prone, ka shënuar rënie me rreth 3 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2012, një prirje e nisur që në periudhën e mëparshme.

Numri i rasteve ku deklarohet se huaja është marrë për “konsum” është rritur me 4 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, thotë Banka e Shqipërisë. Euroizimi i huamarrjes së familjeve vazhdon të jetë i ulët (92% e rasteve është në lekë), kryesisht për shkak të huamarrjes së lartë nga persona fizikë. Koha e mbetur për shlyerjen e stokut të huas në momentin e intervistimit, është kryesisht “deri në 12 muaj” në 41% të rasteve dhe “1-3 vjet” në 34% të rasteve.

Më keq do të bëhet!

Rreth 26% e familjeve huamarrëse (të përgjigjura), deklarojnë përkeqësim të aftësisë së tyre paguese gjatë periudhës, kryesisht për shkak të rënies së të ardhurave, rritjes së shpenzimeve të domosdoshme ose si kombinim i të dyjave. Për të përballuar vështirësitë financiare lidhur me detyrimet e huas së marrë, nga përgjigjet rezulton se në 51% të rasteve familjet ulin shpenzimet e tyre, në 24% të rasteve kërkojnë një punë të dytë dhe vetëm në 12% të rasteve kërkojnë lehtësim të kushteve të huas. Në këtë vrojtim, rreth 70% e familjeve huamarrëse nuk presin ndryshim të aftësisë së tyre paguese në 6 muajt e ardhshëm, ndërsa 24% e tyre presin përkeqësim dhe 5% presin përmirësim. Krahasuar me rezultatet e vrojtimit të kaluar, pesha e familjeve që nuk presin ndryshime të aftësisë paguese është rritur me 5 pikë përqindje, ndërsa e familjeve që presin rënie është ulur me 2 pikë përqindje. Për sa i përket mundësisë së marrjes së një huaje të re në gjashtëmujorin e ardhshëm, rreth 57% e të përgjigjurve e kanë përjashtuar si mundësi.

Sipas rezultateve të vrojtimit, burimet kryesore të të ardhurave të familjeve të vrojtuara vazhdojnë të mbeten: të ardhurat nga vetëpunësimi, pensioni dhe puna në sektorin privat, përkatësisht për 26%, 28% dhe 25% të totalit të personave që sigurojnë të ardhura. Pesha e “emigracionit” si burim të ardhurash, në gjashtëmujorin e dytë 2012, ka mbetur në të njëjtin nivel, si dhe gjashtëmujorin e kaluar. Duke u fokusuar vetëm te “totali i të punësuarve”, rezulton se 41% janë të vetëpunësuar, 39% janë të punësuar në sektorin privat dhe 18% në sektorin shtetëror. Pesha e të vetëpunësuarve në raport me totalin e të punësuarve, është rritur krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2012, ndërsa pesha e të punësuarve në sektorin shtetëror ka rënë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel