Procesi gjyqësor ndaj Emiljano Shullazit, i akuzuar për armëmbajtje pa
leje duket se po merr të njëjtën rrugë si procesi gjyqësor ndaj Dritan
Dajtit. Për të gjashtën herë radhazi, gjyqi ndaj Shullazit ka dështuar
në Gjykatën e Apelit në Shkodër për mungesë të avokateve mbrojtës.

Gjykata e Apelit në Shkodër kishte vendosur që të zhvillonte seancën e radhës, por e ka shtyrë, pasi nuk është paraqitur asnjëri prej avokatëve të dy shokëve të akuzuar për armëmbajtje pa leje. Madje, nga burime të sigurta mësohet se avokatët e Emiljano Shullazit dhe shokut të tij, Helidon Harizaj, kanë paraqitur dorëheqjen nga këta dy klientë. Nëpërmjet një letre, mësohet se avokatët kanë dhënë edhe arsyet për dorëheqjet e tyre. Sipas të dhënave, Blerim Bazhdari, mbrojtësi i Emiljano Shullazit, i njohur si kontingjent kriminal i policisë së kryeqytetit, është shprehur në dorëheqjen e tij se ka konflikt interesi, pasi ka mbrojtur më parë kundërshtarin e klientit të tij. Ndërsa avokati i Harizajt, Anton Kostari është shprehur se nuk ka rënë dakord me familjarët e klientit për mbrojtjen e tij. Relatori i çështjes është shprehur se për rastin në fjalë janë vënë në dijeni të gjitha instancat dhe është vendosur zëvendësimi i dy avokatëve të dorëhequr me dy avokatë të tjerë. Dy të akuzuarit kanë kërkuar që të përfaqësohen në procesin gjyqësor me avokatët mbrojtës, të caktuar nga shteti, duke mos qenë prezentë në asnjë seancë gjyqësore.

Burime nga prokuroria bëjnë të ditur se organi i akuzës ka kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë për rastin në fjalë, ku mbrojta bëhet shkak i shtyrjes së seancave. Seancat janë shtyrë njëra pas tjetrës gjashtë herë rresht pas apelimit të bërë nga të akuzuarit për vendimin e dhënë për ta nga Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë. Siç thonë specialistët, dy të akuzuarit dyshohet se po luajnë me afatet e paraburgimit, me qëllim që të përfitojnë nga dënimi i dhënë. Shullazi dhe Harizaj u arrestuan më 3 korrik të vitit 2012, pasi u kapën në flagrancë në superstradën Lezhë-Shkodër me dy pistoleta, teksa lëviznin me një automjet të blinduar.

Gazeta “Shqip”

Top Channel