Delvinë, tenton të përdhunojë të miturën, arrestohet

30/04/2013 00:00

Vetëm e qara me zë të lartë ka shpëtuar një 6-vjeçare në Delvinë nga
përdhunimi, pasi ishte mashtruar nga një 70-vjeçar, i cili e kishte
futur në banesë dhe ka kryer veprime të turpshme me të.

Ai e ka gënjyer vajzën e mitur se do i jepte një karamele në shtëpinë e tij, teksa ajo luante në oborrin para pallatit me një bashkëmoshatar dhe duke përfituar nga mungesa e njerëzve në zonë, ka abuzuar me të. Gjithçka ka ndodhur brenda pak minutash, ndërkohë që vajza e mitur u ka treguar prindërve të saj se çfarë kishte ndodhur e më pas ka drejtuar forcat e policisë drejt hyrjes ku strehohej i dyshuari, i cili nuk kishte njohje të mëparshme me të dëmtuarën. Në këto kushte, duke u bazuar te dëshmia rrëqethëse e vajzës, policia ka arrestuar Eqrem Muhon, pavarësisht se ai ka pretenduar se nuk kishte abuzuar me të miturën.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth mesditës së të dielës në një lagje të qytetit të Delvinës, kur vajza e mitur, vetëm 6 vjeçe, kishte dalë të luante me bashkëmoshatarët e saj në një oborr të vogël. Kur ajo ndodhej bashkë me një fëmijë tjetër, aty ka kaluar 70-vjeçari, i cili ka filluar t’i thotë fjalë të bukura të miturës dhe e ka puthur në faqe.

Më pas, sipas të dhënave nga policia, ai e ka ftuar vajzën e vogël në banesën e tij, që ndodhej në pallatin përballë oborrit, ku po luante 6-vjeçarja. Fillimisht, vajza e mitur nuk ka pranuar të ngjitet te shtëpia e tij, por më pas ka mbetur e vetme, pasi shoku që po luante me të, ishte larguar. Në atë kohë, 70-vjeçari ka dalë në ballkonin e pallatit dhe e ka joshur sërish vajzën, duke i thënë se do i jepte karamele në shtëpi, nëse ajo ngjitej lart. Vajza është mashtruar prej tij, kështu që ka pranuar të shkojë në banesë. Sapo ka mbërritur te dera, 70-vjeçari e ka futur brenda dhe sipas policisë ka kryer veprime të turpshme ndaj vajzës, duke tentuar ta mbajë me fjalë të ndryshme. Nga dëshmia e vajzës mësohet se ai ka filluar ta zhveshë, por e mitura ka qarë me zë të lartë. Në këto kushte, sipas kallëzimit, Eqrem Muho e ka lënë të lirë vajzën, e cila ka shkuar menjëherë në shtëpi dhe u ka treguar prindërve se çfarë kishte ngjarë.

Policia tha se menjëherë pas njoftimit të prindërve të vajzës, në Komisariatin e Delvinës janë thirrur mësuesja dhe drejtoresha e kopshtit të vajzës dhe në prezencë të tyre, ajo ka rrëfyer makthin e përjetuar. Megjithatë, ajo është shprehur se nuk ia dinte emrin të moshuarit abuzues, por i mbante mend shtëpinë. Menjëherë, policia ka marrë vajzën e mitur dhe është nisur për të zbuluar banesën e të dyshuarit. Vajza i ka dërguar direkt në derën e Eqrem Muhos, i cili nuk ka bërë rezistencë, kur ka parë uniformat blu. Ai është shoqëruar për në ambientet e policisë, ku është marrë në pyetje me orë të tëra, para se të vendosej arrestimi i tij. Sipas policisë, në momentin që ai ka kryer veprime të turpshme me të miturën ndodhej i vetëm në shtëpi, pasi bashkëshortja nuk ndodhej aty, pasi kishte shkuar për një vizitë dhe ai ishte në dijeni të këtij fakti. Megjithatë, gjatë marrjes në pyetje, Eqrem Muho nuk e ka pranuar akuzën e ngritur nga vajza e mitur. Sipas grupit hetimor, ai ka pranuar faktin se kishte puthur në faqe të miturën dhe e kishte thirrur lart në banesë, por jo për të kryer veprime të tilla ndaj saj. Por, dëshmia e tij nuk ka qenë bindëse për policinë, aq sa ka qenë deklarata e 6-vjeçares në prani të mësueses dhe drejtoreshës së kopshtit, kështu që është vendosur arrestimi i 70-vjeçarit. Në lidhje me të kaluarën e të arrestuarit, policia tha se ai nuk ka precedentë të mëparshëm penalë, por po shikohet nëse ka pasur denoncime, apo dyshime të mëparshme në zonë për abuzim me të mitur. Sipas dëshmisë së prindërve të vajzës, ata nuk kishin njohje të mëparshme me 70-vjeçarin, fakt që është pohuar edhe prej tij. Tashmë, policia po heton nëse ka raste të tjera që dyshohet ky person, por nga informacionet e mbledhura deri mbrëmë, policia tha se nuk ka ndonjë hetim tjetër mbi këtë person, veç abuzimit që ka kryer me 6-vjeçaren.

Gazeta “Shqip”

Top Channel