Shija e vrarë e librit

27/04/2013 00:00

MONIKA SHOSHORI STAFA – Në Ditën Botërore të Librit disa veprimtari u
zhvilluan dhe në Tiranë. Në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë u
mbajt një konferencë shkencore dhe u hap një panair simbolik. Nuk
munguan dhe përkujtime të karakterit politik.

23 prilli u shpall si Dita Botërore e Librit në vitin 1995, pas një vendimi të Asamblesë së Përgjithshme të UNESCO-s. Këtë vendim të organizatës më të madhe të kulturës dhe shkencës e parapriu një traditë e njohur në Spanjë, ku prej shumë vitesh blerësit të një libri i dhurohej një trëndafil. Në një rast kështu është bërë dhe në Tiranë.

Spanja pati parapëlqyer 23 prillin si ditë të librit, sepse kjo ishte dita kur Cervantes-i, shkrimtari që i dha Renesancës Europiane romanin, u nda kësaj jete. Por 23 prilli është dhe ditë e lindjes së Shekspirit, që i dha së njëjtës epokë tragjedinë; është ditë lindjeje a vdekjeje, ditë përkujtimore, edhe e Maurice Druon, Vladimir Nabokov dhe e shumë shkrimtarëve të tjerë.

Edhe shqiptarët mund t’i bashkoheshin lehtësisht kësaj date, sepse më 25 prill është dita e vdekjes e Jakov Xoxës, një prej emrave deri-diku në mënjanësi të letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të.

Dita Botërore e Librit është njëherësh dhe ditë e së drejtës së autorit, e cila është një prej të drejtave më të reja.

Çfarë u evokua në Shqipëri në Ditën Botërore të Librit, përveç panairit modest në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, konferencës që u përmend dhe disa deklaratave politike të lidershipit brenda kuadrit të pragfushatës së zgjedhjeve? Dhe a kishte çfarë të evokohej në këtë ditë?

Në Shqipëri botohen mesatarisht çdo vit 2000 tituj librash e më shumë. Bashkë me titujt që botohen shqip në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në vende të tjera mund të jetë dyfishi i këtij numri titujsh. Letërsi shqip botohet edhe në Kroaci, Rumani, Itali, Gjermani, Britani, Greqi, SHBA, Francë. Libri shqip porositet krahas botimeve të tjera prej një shumice bibliotekash universitare e shkencore në Perëndim e në Lindje.

Duke pasur parasysh numrin e popullsisë, kjo është një shifër mjaft e lartë. Por jo gjithçka shprehet në shifra. Ky shpërthim i fuqishëm i dëshirës për botim lidhet edhe me daljen e shoqërisë nga kontrolli ideologjik.

Dihet mirë se në totalitarizëm botimi i një libri ishte para së gjithash status në shoqëri, ishte garanci politike dhe ideologjike, jo vetëm autorësi e autoritet. Njëherësh, kontrolli mbi librin ishte dhe kontroll mbi mendimin. Dhe kjo çoi në një kufizim të njohur të veprimtarisë botuese.

Në prurjet e vrullshme të këtyre viteve në botime ka një ndikim të fortë “libri i sirtarit”, libri që njerëzit e kanë shkruar dikur jo për qëllime botimi, as për t’ia lexuar kujt, por thjesht si një provë me veten. Siç e luan të njëjtin ndikim dhe letërsia e shkruar në burgje e kampe pune, ose letërsia e konfiskuar në dorëshkrim për procese hetimore.

Kjo letërsi ofrohet nga autorët vetë ose nga trashëgimtarët e tyre, sepse arkivat e trashëgimisë kulturore, të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, të teatrove, të shtëpive botuese, nuk dihet ku janë dhe nëse janë diku ende të ruajtura.

Të gjithë lëvdojnë sasinë e botimeve në çerekshekullin e fundmë, por njëherësh të gjithë lëvdojnë leximin e dikurshëm. Dhe atëherë vjen një pyetje: botohet, por për kë? Kush lexon në Shqipëri, kur lexon, çfarë lexon? Shkollat, çfarë “meny-je” librore u ofrojnë nxënësve? Nëse nuk lexohet, çfarë ka ndodhur me leximin?

Sot po flitet për nevojën urgjente të krijimit të rrjetit kujdesës për detoksifikimin e fëmijëve prej ndikimit të teknologjisë së komunikimit, për ngritje qendrash rehabilitimi dhe shpëtimi nga vartësia prej saj. Në disa vende të Europës, pikërisht në Ditën Botërore të Librit, në shenjë rikthimi të vëmendjes te leximi, u hapën disa klinika të tilla, detyra e të cilave është të nxjerrin nxënësit prej vartësisë së teknologjisë dhe t’u kthejnë atyre shijen e vrarë të leximit; të ngjashme me klinikat e tjera detoksifikuese dhe pavarësuese: prej duhanit, alkoolit, drogës. Ndërsa kjo ndodh në Europë pikërisht në Ditën e Librit, me sa duket Shqipëria do t’i afrohet kësaj zgjidhjeje me vonesë, sepse ende ajo jeton me mitin e internetit, të “Shqipërisë virtuale”.

Por nuk janë vetëm nxënësit ata që e vuajnë diskriminimin e leximit prej formave të tjera të komunikimit me letërsinë dhe dijet. A nuk po zëvendësohen me një shpejtësi të frikshme bibliografitë shkencore me sitografitë, referencat në rrjetet e enciklopedive vullnetare dhe në burime të tjera që nuk përbëjnë referencë? Dhe kjo nuk po ndodh me ata që janë në proces marrjeje të dijes, studentët, por pikërisht me ata që hartojnë tekstet dhe ofrojnë dijet.

Mbi të gjitha, në Shqipëri mungon sistemi i garancive të cilësisë së librit. Përveç kodit dhe kodifikimit numerik sipas standardit ndërkombëtar të librit, që, për hir të së vërtetës, me e pa ligj, ka ekzistuar edhe para viteve 1990 (në formën e katalogimit CIP të librit në Bibliotekën Kombëtare dhe në biblioteka të tjera dhe është meritë pikërisht e kësaj biblioteke që krijoi normën ligjore), instrumentet e tjera të certifikimit të botimeve nuk ekzistojnë. Të gjitha formimet në procesin kërkimor, sipas akteve normësuese të vendit, duhet të kalojnë në një proces të tillë: Artikujt shkencorë duhet të jenë të botuar në revista me ISSN (International Standard Scientific Number), por cili autoritet dhe mbi ç’parashikime e jep këtë kodifikim? Botimet shkencore duhet të kenë faktor impakti, por cila zyrë, cili institucion, e provon këtë. Libri akademik-universitar duhet të sigurojë përdoruesin e tij se ka një shkallë të lartë IC (Intelectual Coeficient), por cili institucion ka përgjegjësinë për të njohur ose mos njohur këtë garanci? Flitet gjithashtu për ranking dhe rating të librit, por treg dhe konkurrencë që mund të plotësojë këto kërkesa nuk ka, përveç punës së dobishme që bën ndonjë institucion jopublik, si, bie fjala, Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit, që ofron sa mundet informacion korrekt për këtë kategori botimesh.

Të gjitha këto janë kërkesa që nuk mund të plotësohen në mënyrë vullnetare, dhe sigurisht pa pasur ligje, nënligje, vendime, zyra, institucione, njerëz të kualifikuar që përgjigjen. Mirëpo, këto mungesa kanë sjellë jo pak devijime të botimeve nga gjuha shqipe. Së paku njerëzit që janë në proces formimi si kërkues, që duhet të kenë botime e kontribute të certifikuara sipas standardeve europiane, po e falin të drejtën e autorit dhe në një farë mënyre herë-herë dhe po e blejnë të drejtën e botimit në revista perëndimore, duke parapaguar koston e botimit me numër faqesh ose në forma të tjera.

Kjo mund të duket si një problem teknik, që u intereson vetëm një grushti studiuesish. Por pikërisht mungesa e këtyre garancive të cilësisë shkencore ka çuar deri në komprometim të vlerave, në nënçmim të tyre, në paravendosjen e botimeve më se mesatare ndaj atyre cilësore, deri te mirënjohjet shtetërore. Nga mungesa e garancive standarde ligjore në botime, sidomos në ato shkencore, vjen shthurja e referencave, zëvendësimi i profesionistëve prej amatorëve dhe, mos qoftë e thënë, edhe e këtyre të fundmëve prej sharlatanëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA