Mustafa Nano – Nuk po bëjnë më përshtypje ca sjellje publike e politike
të Berishës, që lëndojnë haptazi deontologjinë e profesionit të
politikanit në një demokraci liberale; në mos, prishin e komprometojnë
ca rregulla të qarta të lojës elektorale; në mos akoma, janë një dhunim
flagrant i ligjeve të këtij vendi.
Nuk bëjnë përshtypje, ngaqë këto sjellje janë tanimë një stil pune i tij. Njëri gjest pra ndjek tjetrin, aq sa komentatorët e reporterët nuk kanë kohë ta thonë të tyren e të informojnë. Kuptohet, kur duan ta bëjnë këtë gjë, pasi ka kohë që gazetarët merren gjithnjë e më pak me atë që bën Berisha, duke përjashtuar këtu rastet kur bëmat e tij janë të rëndësishme e të frikshme, siç ishte zëvendësimi i anëtarit të KQZ-së të propozuar nga LSI-ja.
Por le t’i lëmë bëmat e mëdha antiligjore. Le të mbahemi tek sjellja e tij rutinë që bie në kontrast të dukshëm me etikën publike e me deontologjinë e profesionit të politikanit. Ai nuk bën gjë tjetër, veçse e dhunon këtë etikë e këtë deontologji (shpesh këtu nënkuptohet dhe dhunimi i ligjit) nga mëngjesi deri në mëngjesin tjetër. Si veprimtari të përditshme të këtij lloji ai ka denoncimin që i bën opozitës nga mbledhjet e qeverisë e nga selia e Kryeministrisë, nga atje pra ku është çuar me votat e shumicës për të administruar punët e këtij vendi; dhe nga Kuvendi i Shqipërisë, që normalisht do duhej të ish arena e debateve mes palëve dhe vendi i llogaridhënies për qeverinë.
Përveç këtij rituali të shëmtuar të përditshëm (shpresojmë që të mos përsëritet gjatë legjislaturës tjetër, nëse ndodh rotacioni i pushtetit), ai herë pas here bën dhe gjëra të tjera më flagrante. Dhe të vjen çudi kur mendon që shumica e këtyre zullumeve janë krejt të panevojshme. Duhet një minimum inteligjence për ta kuptuar se janë të panevojshme. Kjo do të thotë se ai në raste të tilla, mjaft t’i japë dum punës për ta shoshitur një copë herë idenë e mbrapshtë në momentin që i shkrep në kokë, dhe ka për t’u bindur pa një pa dy se nuk do t’ia vlejë ta bëjë atë që ka ndërmend të bëjë, pasi më shumë i prish se sa i ndreq punë vetes. Shkurt, janë gjëra, nga të cilat ai nuk ka asnjë qar.
Fjala vjen, cili është qari i tij kur shkon dhe mban fjalime përpara nxënësve të një shkolle tetëvjeçare, dhe u thotë këtyre të fundit se “kundërshtari i tij politik nuk e do kombin, nuk i do ata fëmijë, nuk e do të ardhshmen e tyre, etj., etj”? Këtë gjë e ka bërë më shumë se një herë. Ai është qortuar nga më shumë se një zë për këtë sjellje, por ai ka këmbëngulur tek e vetja, ndonëse e di – janë të gjitha gjasat që ta dijë – se kjo që bën është e pakuptimtë, e paprecedent, është gati lapërdhare. Edhe despotë që janë shquar për mizoritë e tyre kanë qenë shumë të kujdesshëm në komunikimin me fëmijët e kësaj moshe. Unë jam mbi të 50-at, dhe më duhet të pohoj se nuk di (ndokush mund të më korrigjojë në këtë mes) që Enver Hoxha t’u ketë folur nxënësve të shkollave tetëvjeçare për armiqtë e tij e të partisë së tij, për Mehmet Shehun e Co., apo qoftë dhe për imperializmin amerikan apo revizionizmin sovjetik.
Pse i thashë sa më sipër? I thashë, ngaqë pardje, Berisha ka bërë diçka të ngjashme. Ka mbajtur një takim politiko-elektoral në selinë e Partisë Demokratike me pedagogë universitarë. Gazetat e djeshme nuk kishin informuar për këtë lajm, e nuk merret vesh pse nuk kishin gjetur arsye që ta veçonin si lajm. Ishte veç “Panorama” që i kish kushtuar një gjysmë rripi me germa të vogla në një nga faqet e brendshme të saj. Dhe informonte mbi këtë takim në mënyrën më të ftohtë të mundshme, pa ngritur ndonjë pikëpyetje a dyshim, e pa e zbuluar deri në fund ngjarjen. Nuk e kanë zbuluar deri në fund, ngaqë nuk e kanë parë si diçka me rëndësi.
Fjala është pra për një mbledhje që Sali Berisha, në cilësinë e kryetarit të partisë e jo në cilësinë e kryeministrit, ka mbajtur në selinë e partisë së tij me pedagogë. “Pedagogë të rinj të vendit”, thosh “Panorama”, dhe nuk saktësonte nëse ishin të të njëjtit universitet apo të universiteteve të ndryshme, të universiteteve publike apo atyre private. Dhe nuk thuhej, nëse këta pedagogë ishin thjesht pedagogë, apo ishin dhe anëtarë të Partisë Demokratike. Janë të gjitha gjëra për t’u sqaruar, pasi çdo detaj ka, sipas meje, rëndësinë e vet. Do ish me interes të dinim se kush janë këta pedagogë, ç’motivime kanë pasur për të qenë atje, me çfarë back-ground-i akademik janë, ku e kur janë diplomuar, kush i organizoi për të shkuar në një takim të tillë, dhe çfarë mendimi kanë për atë mbledhje. Do ish bërë një punë e paqme gazetareske sikur të ishin intervistuar nja dy a tre prej tyre.
Nuk mbaron këtu. Mendja ta thotë se në një takim me pedagogë, një udhëheqës politik ka për synim të shkëmbejë ndonjë ide, e të marrë ndonjë këshillë a sugjerim. Por as që bëhet fjalë. Berisha i kish thirrur ata për t’u bërë një lavazh truri. Në fillim u ka shpjeguar se si lindi aleanca PS-LSI dhe pse kjo aleancë është shock-uese dhe imorale (“ka për kumbar një kontrabandist”, u ka thënë Berisha “në konfidencë” atyre), dhe pas kësaj ka shtuar (gjithnjë, sipas “Panoramës”): “Dhe është ky faktor që bën që rinia shqiptare, të rinjtë shqiptarë, dikush me pasion e dikush me më pak pasion, të kenë më shumë besim tek Partia Demokratike”. Shihet pra se sa është munduar Berisha për t’u hapur sytë këtyre njerëzve e për t’ua ndriçuar botën.
Por më e forta vjen në fund, dhe është pikërisht kjo që na çon tek thelbi i çështjes, dhe tek motivi pse Berisha i kish ftuar. Ja çfarë u ka thënë ai në mbyllje të takimit “pedagogëve të rinj të vendit”: “Ka shumë rëndësi vota e të rinjve [kupto: e studentëve]. Problemi ynë është pjesëmarrja e tyre në votime. Na del për detyrë të bëjmë gjithçka, të punojmë me çdonjërin prej tyre, [dhe t’i bindim] që të marrin pjesë në votime. Duhet t’ua dimë adresën, duhet të dimë se ku do të jenë ata më 23 qershor”.
Të dashur lexues, a ju mban vendi teksa mendoni se fëmijët tuaj janë në dorë të këtyre pedagogëve, dhe se vendi juaj drejtohet nga “pedagogu i këtyre pedagogëve”, alias kryeministri? Mua nuk më mban vendi.
Top Channel