
Për 10 vite me radhë, nga 1994 deri në 2004, mblodhi dhjetra milionë shikues para ekranit të vogël duke u shndërruar në një prej serialëve televizive më të ndjekur në botë.
Bëhet fjalë për serialin komik “Friends” i cili me 237 seri në 10 vjet është seriali më i ndjekur në 20 vitet e fundit, por edhe më i kushtueshmi. Kamerat u fikën në 2004 mes lotësh gëzimi e nostalgjie të aktorëve dhe të shikuesve besnikë të tij.
Por sot, thuajse 10 vite nga ky vendim në internet dhe në disa revista javore amerikane po qarkullojnë zërat për një ribashkim të gjashtë miqve njujorkezë, Rachel, Ross, Chandler, Monica, Phoebe dhe Joey.
E në rrjetet sociale e forume në internet nostalgjikët e këtij sitcom-i janë cmendur. Urojnë që gjithcka të jetë e vërtetë. Por shpresat e tyre u shuan pas deklaratës së Marta Kauffman, producente e “Friends”. Në një deklaratë dhënë për “E! News” ajo tha se ribashkimi nuk është në plan, madje nuk do të ndodhë kurrë.
Por pavarësisht deklaratës së prerë të saj, një fije shprese ekziston ende. Nostalgjikët nisen nga fakti se nga NBC dhe Warner Bros, nuk ka mbërritur asnjë deklaratë, qoftë pohuese, qoftë mohuese.
Që nuk do të kishte një sezon të 11-të të Friends, disa herë është theksuar nga producentët, por edhe nga vetë aktorët, por edhe nëse sot 10 vite nga seria e fundit do të bihej dakort për të rinisur xhirimet, problem mbetet kasta e aktorëve. Që të gjithë “Miqtë” njujorkezë janë rreth të pesëdhjetave tashmë, pa lënë menjëanë edhe angazhimet e tjera të tyre.
Pra dritat e apartamentit njujorkez nuk do të ndizën më dhe e vetmja mënyrë për të parë Rachel të interpretuar nga Jennifer Aniston, Ross të interpretuar nga David Schwimmer, Chandler të interpretuar nga Matthew Perry, Joey të interpetuar nga Matt LeBlanc, Phoebe të interpretuar nga Lisa Kudrow dhe Monica të interpretuar nga Courteney Cox, mbetet vetëm DVD-ja.
Top Channel