
Një ditë pas një takimi me udhëheqësit më të lartë kinezë, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, vlerësoi angazhimin e Kinës për zgjidhjen e krizës në Gadishullin Korean, duke thënë se Pekini po “shndërrohet në një aleat të çmuar” i përpjekjeve të Uashingtonit për të “forcuar paqen” në rajon.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina, gjatë takimit të nivelit të lartë, mbajtur të shtunën në kryeqytetin kinez, gjithashtu thanë se janë të përkushtuara ndaj denuklearizimit të Gadishullit Korean dhe se do të mbajnë mbledhje të ardhshme për të përcaktuar mënyrën se si mund ta realizojnë këtë.
Tensioni në Kore ndodhet në një spirale të rrezikshme përshkallëzimi, pasi Korea e Veriut ka kërcënuar me “shfarrosje bërthamore” fqinjët jugorë dhe SHBA-në, pas shpalljes së disa sanksioneve të rënda ndërkombëtare, për shkak të shkeljes së konventave që pengojnë testimet bërthamore apo lëshimin e satelitëve me anë të raketave me rreze të gjatë veprimi.
Sipas dyshimeve të agjensive inteligjente, regjimi diktatorial në Penian mund të jetë pranë realizimit të një testimi të ri bërthamor, i cili do të rriste në mënyrë dramatike tensionin.
Ndërkohë, të dhëna shqetësuese të satelitëve tregojnë se Korea e Veriut ka ecur me përgatitjet për luftë dhe ka në pozicion sulmi raketat e njësi të caktuara të ushtrisë popullore.
Më parë, Kerry ka paralajmëruar Penian për “pasoja të rënda e të kushtueshme”, nëse nuk do t’i bindet komunitetit ndërkombëtar.
Referuar takimit me Presidentin e Kinës, Xi Jinping dhe zyrtarë të tjerë të lartë kinezë, Kerry theksoi: “Pekini është i vendosur që të përdorë të gjithë ndikimin e tij për të bindur Korenë e Veriut që të heqë dorë nga veprimet provokuese dhe pa dyshim, lëshimit të ardhshëm të çdo rakete”.
Top Channel