Në procesin gjyqësor që ka rifilluar të shtunën ndaj ish-presidentit egjiptian Hosni Mubarak janë verifikuar momente tensioni kur gjyqtari i çështjes ka njoftuar tërheqjen.
Në sallë ka pasur skena kaotike kur gjyqtari Mustafa Hassan Abdullah ka njoftuar vendimin e tij, për t’ia kaluar çështjen një gjykate tjetër.
Pavarësisht klithmave në sallë, Mustafan Hassan Abdullah deklaroi se do t’ia dorëzonte çështjen Gjykatës së Apelit të Kajros, pasi ndihej “i shqetësuar” për trajtimin e saj.
Tashmë, sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, pritet që të caktohet një panel i ri gjyqtarësh që do të shqyrtojnë vazhdimin e çështjes.
Mubarak akuzohet për korrupsion dhe komplot. Ai u dënua në qershorin e kaluar për planifikimin e vrasjes së rreth 850 protestuesve gjatë revoltave të vitit 2011, që i dhanë fund regjimit të tij.
Por rigjykimi u urdhërua në janar pasi gjykata pranoi apelin e tij kundër dënimit me burgim të përjetshëm, duke cituar parregullësi proçeduriale. Mubarak, 84 vjeç, është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe aktualisht po mbahet në një spital ushtarak në Kajro.
Ditën e shtunë ai u transportua me helikopter për në gjykatën në akademinë e policisë, në rrethinat e kryeqytetit egjiptian. Televizioni shtetëror e tregoi ish-presidentin të lëvizte me një krevat me rrota, i veshur me të bardha.
Ndërkohë, dy djemtë e tij dhe ish-ministri i Brendshëm i regjimit, Habib al Adly, do të rigjykohen gjithashtu për të njëjtat akuza. Al Adly u dënua me burgim të përjetshëm vitin e kaluar për kontribuim në vrasjen e protestuesve dhe me 12 vite të tjera për korrupsion.
Ndërsa Gamal dhe Alaa Mubarak do të rigjykohen për korrupsion, akuzë nga e cila u çliruan në qershor, për shkak të skadimit të afateve të gjykimit.
Top Channel