Mbi tre muaj tensione mes SHBA-së dhe Iranit, deklarata e Trump: Nuk më ka interesuar kurrë ndryshimi i regjimit te tyre

16/06/2026 17:43

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi në samitit të G7 se nuk ka qenë kurrë i interesuar për ndryshimin e regjimit në Iran, megjithëse beson se një zhvillim i tillë mund të ndodhë.

“Nuk më ka interesuar kurrë ndryshimi i regjimit, por mendoj se do të ketë ndryshim regjimi”, tha Trump pas një takimi me Emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani.

Megjithatë, në fillim të konfliktit SHBA-Izrael kundër Republikës Islamike më 28 shkurt, Trump u kishte bërë thirrje iranianëve të merrnin kontrollin e vendit të tyre. Në një postim në Truth Social, ai shkruante: “Kjo është mundësia më e madhe për popullin iranian që të rimarrë vendin e tyre.”

Administrata Trump ka argumentuar vazhdimisht se eliminimi i disa figurave të larta të udhëheqjes iraniane ka sjellë në mënyrë efektive një ndryshim në strukturën e pushtetit në vend.

Duke folur në samitin e G7, Trump tha se anëtarë të “nivelit të parë” dhe “nivelit të dytë” të udhëheqjes iraniane janë vrarë, si edhe disa pjesëtarë të “nivelit të tretë”. Sipas tij, personat me të cilët Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë negociata aktualisht janë të arsyeshëm, jo të radikalizuar dhe të gatshëm për të ndihmuar vendin e tyre.

Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan theksoi se përvoja e tij me ndryshimet e regjimeve në vende të tjera nuk ka qenë pozitive.

“Kam parë ndryshime regjimi për vite me radhë dhe ato nuk kanë funksionuar”, u shpreh Trump.

Top Channel