Deklarata më e fortë e Sekretarit amerikan të Shtetit në Seul, lidhur me krizën në gadishullin korean, ishte se Amerika nuk do ta pranojë Veriun komunist si fuqi bërthamore dhe se lëshimi i një tjetër rakete do të jetë një gabim i rëndë nga ana e Penjanit.
“Retorika e Koresë së Veriut është e papranueshme nga çdo pikëpamje. Ne jemi të gjithë të bashkuar, rreth faktit se ajo nuk do të pranohet kurrë si fuqi bërthamore”, tha Kerry.
Por, nga ana tjetër, shefi i diplomacisë amerikane e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të hyjnë në bisedime me Korenë e Veriut, me kushtin që ajo të angazhohet vërtetë për çarmatosjen e gadishullit nga armët atomike.
“Varet nga Kim Jong-un, se çfarë do të vendosë të bëjë. Kjo nuk do ta ndryshojë qëndrimin tonë, i cili është shumë i qartë. Ne do të mbrojmë aleatët tanë. Kim Jong-un duhet ta kuptojë, dhe mendoj se ndoshta e kupton, se cili do të ishte rezultati i një konflikti”, shtoi Kerry.
Kërcënimet e ekzagjeruara koreano-veriore për lufte nuk janë ndonjë risi. E reja, në valën e fundit të kanosjeve të shtetit komunist, është intensiteti dhe vazhdimësia e paralajmërimeve.
Duke i shtuar atyre edhe faktin, që Korenë e izoluar të Veriut e drejton një lider 29-vjeçar, i cili papritur gradohet në gjeneral e që kërkon të provojë forcën e vet, ekspertët flasin për tre skenarë të mundshëm mbi ecurinë e situatës.
I pari, është ajo çfarë shpreson Penjani, që do të thotë përshkallëzim i kërcënimeve, një tërheqje të komunitetit ndërkombëtar përballë tyre, dhe pasojave që mund të kenë në tregjet financiare, deri në atë pikë sa Ëashington, Seuli dhe Tokio ngurrues pranojnë kushtet e Penjanit me qëllim shmangien e konfliktit. Ndërkohë, Veriu vazhdon testet e armëve bërthamore me bazë uraniumin në facilitetet e tij nëntokë.
Skenari i dytë është ajo çfarë shpresojnë Shtetet e Bashkuara, Korea e Jugut dhe Japonia: paparashikueshmëria e Kimit e kthen hapur kundër tij aleatin historik të vendit, Kinën. Pekini premton të shtojë presionet mbi regjimin koreano-verior dhe, kur Kim të përpiqet të ngrejë krye sërish, Kina i redukton ngarkesat e naftës me 50%. Flluska e paralajmërimeve të Penjanit nis kështu ngadalë të shfryhet e Veriut, më në fund, i hiqet arsenali bërthamor.
Skenari i tretë është ai, të cilit i druhen të gjithë: përflakja e situatës deri në atë pikë sa të shkohet në mënyrë të pashmangshme drejt konfliktit.
Top Channel