Konflikti Gjermani-Britani për BE-në

12/04/2013 08:30

Kryeministri i Britanisë, David Cameron, udhëtoi ditën e premte në Berlin, ku në një takim me kancelaren Merkel do të diskutojë kërkesat e Londrës për ndryshime thelbësore në strukturën e përbërjen e Bashkimit Europian.

Sipas Cameron, është e domosdoshme që Brukseli t’i japë më shumë autonomi Britanisë, duke ndryshuar kuadrin ligjor për të eliminuar disa vendime e angazhime detyruese, të marra në emër të Bashkimit Europian për të gjitha vendet anëtare.

Në takimin që po zhvillohet me kërkesë të Merkel, bisedimet do të fokusohen edhe tek samiti i ardhshëm i G8-s, që do të mbahet në Britaninë e Madhe dhe në krizën siriane.

Cameron kishte caktuar një takim edhe me Presidentin e Francës, Francois Hollande, në plan për t’u zhvilluar të hënën e ardhshme, por ai u anullua si rrjedhojë e vdekjes së ish-kryeministres Margaret Thatcher, që do të përcillet të mërkurën, me një funeral me nderime ushtarake.

Zyra e Kryeministrit në Londër njoftoi se është duke mbajtur kontakte me Parisin zyrtar, për të gjetur një moment për rioagnizimin e këtij takimi.

Kontaktet e Cameron me përfaqësuesit e dy vendeve të tjera me më shumë ndikim brenda Bashkimit Europian vijnë pasi Parisi dhe Berlini bojkotuan një sondazh të Britanisë, që synonte të studionte rrjedhojat paraprake brenda dhe jashtë vendit, në rastin e marrjes së vendimit të rishikimit të raporteve me Brukselin.

Rishikimi është pjesë e një studimi të nisur nga Londra zyrtare, që ka si synim të përgatisë kuadrin ligjor për rinegocimin e anëtarësimit të Britanisë në Bashkimin Europian, siç u premtua nga kryeministri David Cameron, më parë gjatë vitit.

Megjithatë, Franca dhe Gjermania, që me vendosmëri kanë kundërshtuar këtë rishikim, duke këmbëngulur se BE ose pranohet ose refuzohet “si paketë”, vendosën më parë gjatë prillit që të mos marrin pjesë në “këtë ushtrim të politikës vendase britanike”.

Sondazhet e fundit në Britaninë e Madhe tregojnë për një rritje të ndjeshme të eurospekticizmit, me vetëm një nga tre britanikë që është në favor të qëndrimit brenda BE-së.

Në një fjalim më parë gjatë 2013-s, kryeministri Cameron premtoi për britanikët një referendum për të shprehur vullnetin e tyre në lidhje me këtë anëtarësim, nëse ai do të rizgjidhet në zgjedhjet e 2015-s.

Top Channel