Ligji imponohet, politika besohet

10/04/2013 00:00

Nga Zamira Çavo – Këto ditët e fundit, politika ka tjerrë si asnjëherë më parë idenë se, morali nuk ka punë me të. Sipas servilëve apo “zëdhënësve” të interesave partiake, majtas e djathtas, politika justifikon çdo gjë në emër të fitores së pushtetit! Në këtë katrahurë mendimesh, vlerash e interesash, një gjë po lihet enkas në harresë: fakti që politika është pronë e të gjithëve!

Por ajo që po ndodh këto ditë më shtyn të mendoj se politikanët e konsiderojnë domenin e tyre jo vetëm politikën, por e konsiderojnë veten pronarë të saj dhe popullin skllav të bindur të vendimeve të tyre! Ndoshta dhe kanë të drejtë, pasi shqiptarët nuk kanë ndryshuar shumë nga përshkrimi që u bënte Fishta apo Konica.  Ata vazhdojnë të mendojnë me mendjen e të tjerëve dhe jo të tyren, duke i lejuar “të tjerët” të mendojnë se janë zotër të tyre. Dikush madje flet me zell se politika s’ka moral, se politika është ligj! Dhe ky na qenka pragmatizmi i politikës kudo në botë! Në këndvështrimin tim këtu ka një gabim thelbësor, që ndoshta bëhet i detyruar nga interesat e ngushta të dikujt: ligji nuk njeh moral, pasi ai është i “detyrueshëm”, pra ligji imponohet. Ndërsa politika ngrihet mbi bazën e besimit, të bindjes dhe të së mirës publike! Kjo do të thotë që politika ka nevojë për këtë besim, politika nuk mund të imponohet! Por politikanëve u intereson ta quajnë politikën ligj dhe të mundohen t’i imponojnë opinionit publik zgjedhjet e tyre, interesat e tyre personale, duke na i shitur si “të mirën e përgjithshme”. Ja pse ka shkaktuar kaq shumë zhurmë, kaq shumë pakënaqësi, por dhe kaq shumë tronditje besimi koalicioni PS-LSI.

Partia Socialiste, me programin e saj për një Rilindje kombëtare, krijoi mendimin se modeli politik i Berishës do të merrte fund dhe një model i ri politik do të ravijëzonte jetën politike të çdo individi. Kjo do të thoshte se me modelin politik të PS=së, çdo njeri do të mund të gjente në të, vlerat që kërkonte një shoqëri e qytetëruar, e që nuk i kishte gjetur në modelin Berisha.

Dhe cilat ishin disa nga këto vlera?

– Në radhë të parë forcimi i një shteti ku përgjegjshmëria dhe ndëshkueshmëria të ngrenë themelet e së ardhmes. Papërgjegjshmëria e modelit Berisha e shkatërroi shtetin. “Frika” ndaj ligjit u shndërrua në frikë ndaj individit që ka në dorë ligjin. Krimi mori përmasa shtetërore aq sa çdo individ ndihet i pambrojtur përballë këtij sistemi. Parimi se kush vjedh shumë bën karrierë, u shndërrua në motiv të politikës. Ky model e bëri shqiptarin të krijojë “frymën kundër Berishës”, sepse u lodh nga ky model primitiv, barbar, autoritar, i politikës berishiste. Një Shqipëri me ligje europiane dhe me një sens zbatimi sulltanati primitiv! Ndaj njerëzit filluan të besojnë në një politikë të re, të kundërt me këtë model. Rama e lançoi disa herë idenë se një shtet duhet të ketë si parim të tijin, përgjegjshmërinë dhe ndëshkueshmërinë.

– Krijimi i një modeli shteti ku punonjësit e saj të mos jenë “injorantë militantë” me diploma të blera dhe të shiten si “ekspertë” duke i sjellë një dëm të pallogaritshëm vendit dhe popullit. Ata jo vetëm që nuk janë “shërbëtorë” të popullit sikundër duhet ta konsiderojnë veten, por sillen si agallarë (përdora këtë term për të treguar anakronizmin e tyre politik), ndaj popullit. Kjo specie administrate e modelit Berisha, i ka bërë një dëm të stërmadh Shqipërisë e shqiptarëve, pasi ka shtrembëruar të ardhmen e vendit në pothuajse të gjitha drejtimet. Vizioni i së ardhmes në modelin Berisha është një vizon i mbështetur në demagogjinë dhe mungesën e profesionalizmit. Ne sot jemi të dëshiruar sërish për ujë, drita, rrugë e qetësi publike, gjëra që bota i zgjidhi që në fillimet e ngritjes së shtetit! Politika e Rilindjes u përbetua për një model tjetër, ku administrata do të jetë profesioniste dhe njëherësh e përgjegjshme.

– Shqipëria u lodh nga modeli i shpifjes, sharjeve, armiqësive ndasive! Modeli Berisha i çoi gati në limitet këto plagë. Sot, 22 vjet mbas diktaturës, ne ende vazhdojmë të quajmë “komunistë” këdo që i kundërvihet Berishës. Gjuha e urrejtjes sot është shtrirë deri në qelizën e shoqërisë, familjen! Ja pse kur Rilindja tregoi për një politikë pa sharje e shpifje, pa “të veriut e të jugut”, pa “të majtë apo të djathtë”, njerëzit besuan.

Janë këto vlera që nuk kanë forcën e ligjit, nuk dënohen nga ligji, por janë shumë herë më të forta në ndikimin e tyre në shoqëri, sesa ligji që mbajnë në këmbë modelin politik. Pikërisht këto vlera PS-ja i vuri në dyshim, kur pranoi aleancën me LSI-në. Sepse:

–    Dyshimi se ndëshkueshmëria do të jetë parim bazë, është legjitim, pasi njerëzit kanë parë se si LSI-ja në qeverisje nuk njeh kritere ndëshkueshmërie dhe as përgjegjshmërie. Tani na duhet të pranojmë se “21 janari u mbetet historianëve dhe arkeologëve”!

–    LSI-ja pranoi këtë koalicion, pasi në mënyrë pragmatiste kuptoi se Berisha i kishte ditët e fundit të qeverisjes së tij dhe LSI-ja mund të mbetej gjallë, vetëm nëse gjente mundësi të mbante në punë militantët e saj. Kjo i dha jetë marrëveshjes me PS-në. Pra në administratën e ardhshme do të kemi sërish militantët “ekspertë” që nuk do të duan t’ia dinë përveçse impenjimit në “detyrat” partiake! LSI-ja, me siguri, do të kërkojë ministritë e radhës, ku do të punësojë militantët e vet!

–    LSI-ja ka treguar me lëvizjet dhe gjuhën e saj, se për të kryesorja nuk është e përgjithshmja, por personalja, partiakja, e ngushta. Nëse nesër PS-ja do ta vërë në pozita të “vështira” LSI-në, me synim realizimin e programit të Rilindjes, LSI-ja mund t’i kthehet sërish gjuhës së urrejtjes dhe bashkimit me Partinë Demokratike, në emër të “Shqipërisë”.

– Unë nuk besoj që qëllimi i LSI-së është ndryshimi i modelit të qeverisjes, sepse po ta besoja këtë, do të kishim vënë re më parë, qoftë me ndonjë “vërejtje” apo ndonjë reformë, apo diçka ndryshe në sektorët ku LSI-ja qeverisi. Qëllimi i LSI-së është të jetë në pushtet! Kjo është në të drejtën e vet, por jo në të drejtën e atij grupimi të madh social e politik që shpresuan një qeverisje për të gjithë.

–    Së fundmi, LSI-ja me politikën e saj pragmatiste do të ushtrojë presion ndaj qeverisë së ardhshme, duke tentuar gjithnjë e më shumë pushtet brenda sa,j por dhe brenda Partisë Socialiste. Kjo e ka bërë që tani vulnerabël këtë parti dhe dyshimi mbetet po aq real sa më shumë shtohen zërat për ta përligjur atë.

Nga ana tjetër, çdo individ e ka të qartë se lideri i jep modelit “frymën e tij”, por lideri nuk është vetë modeli. Nëse modelin Berisha e quajmë të skaduar, kjo nuk ka të bëjë vetëm me Berishën. Kurrsesi. Ky model është një model qeverisjeje, që duhet të marrë fund, dhe jo të marrë fund Berisha si politikan, sepse nuk është as në dorën e PS-së e as të LSI-së kjo gjë. Por cilin model ka sot Rilindja? Ideja se duhet bërë pakt me djallin për të rrëzuar Berishën është një ide e blofit politik të përgatitur mjeshtërisht nga lakenjtë e politikës qeverisëse. Filozofia e “së keqes” më të vogël është filozofi e dështuar që e ka çuar vendin në buzë të greminës e që nuk na jep shpresa për të ardhmen. Ndaj për herë të parë nuk jam dakord me profesorin e madh Qose për një koalicion të padëshirueshëm, por të nevojshëm”!!!

Pra, modeli politik i Rilindjes fitoi besimin pasi vuri në themel disa vlera morale, por kur këto vlera vihen në pikëpyetje dyshimi shndërrohet në zhgënjim. Kjo e bën politikën e Rilindjes.

Gazeta Shqip

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA