Për të shpëtuar të ardhmen

07/04/2013 00:00

Artan Mullaj – Ftesa e Edi Ramës drejtuar LSI-së, për një koalicion parazgjedhor, duket sikur ka krijuar një cunam të ri brenda Rilindjes.

Nusja zanë, yll e princeshë e NDRYSHIMIT, e mbërritur si nga një mbretëri e vështirë pas dilemash, për nostalgjikët e moralit rezultoi të jetë e pavirgjër…

Të thuash që Edi Rama, duke ftuar Ilir Metën ka hapur Kutinë e Pandorës, është pak por edhe herët, sepse vështirë të parashikohet e përafruar pasoja që mund të ketë sjellë ky vendim kapital. Të thuash që Edi Rama ka marrë vendimin më të gabuar të jetës së tij dhe është treguar i paaftë të kuptojë reaksionin shpirtëror që mund të krijojë “ndotja e beftë e moralit”, duke ftuar në sofrën e nderit një “të pandershëm”, siç thuhet, përveçse herët, do të ishte edhe një guxim i tepruar. Të thuash që Edi Rama ka bërë gjënë e duhur, këtë nuk mund ta dijë askush, ndoshta as vetë kryetari i Partisë Socialiste, që me siguri nuk priste as ai këtë gjallërim të rrezikshëm të ndjeshmërisë publike, këtë mizërim dalë kosheresh, a thua ftesa i është bërë jo Ilir Metës, kryetarit të LSI-së, por Fidel Kastros.

Për fat të keq, ose për fat të mirë ndoshta, këto dilema duan kohën e tyre për t’u qartësuar. Ditët në vazhdim, rezultati i zgjedhjeve, e sidomos mënyra se si do vazhdojë të qeveriset ky vend, mbas 23 qershorit, do të përcaktojnë në mënyrë të shpërndarë nivelin e gabimit apo mprehtësinë dhe largpamësinë e kryetarit të opozitës.
 
***
Tranzicioni shqiptar nuk ka pasur kurrë një politikan të tillë të spikatur, që të ketë bërë ç’duhet bërë në përmbushje të misionit dhe vizionit të tij si përfaqësues i popullit. Politikan i ri, me një karrierë jo të zakontë, Ilir Meta, duket se Zoti vetë është kujdesur që rruga t’i bëhej dritë, para dhe lavdi, pavarësisht mëkateve. Por çfarë ka përfaqësuar ky njeri në rolin e tij? Qytetarët, problemet, mjerimin? Jo, kurrë. Ka përfaqësuar një kastë njerëzish të punësuar, shpesh të korruptuar, shpesh të pasuruar, të cilët kanë pasur vizion tjetër gjë, jo përparimin, integrimin, por mbajtjen në majë të legjendës që rrezatonte lideri i tyre, i pasur, i fuqishëm, i pushtetshëm.

Duket se LSI do të ketë gjithmonë një ushtri të punësuarish dhe të kënaqurish, të cilët do të jenë kamikazë të ambicies së liderit të tyre, që ky të jetë, qoftë edhe moralndotur siç thuhet, në krye, në vëmendje, në elitë, sikundër edhe është. E kështu, politikanët e tjerë me radhë.

Partitë dhe politikanët kanë një gjë të përbashkët. Asnjëherë nuk e kanë kuptuar e ca më pak vlerësuar fuqinë bërthamore që ka MORALI i politikës në politikë. Asnjëherë nuk e kanë marrë seriozisht (a do mundeshin?) atë. Përndryshe do të kishin një performancë tjetër.

Në degradimin spektakolar të qeverisjes së Berishës, një orientim drejt moralit do të ishte gjëja e duhur, e zgjuar. Por kjo nuk ndodhi. Çdo forcë politike është zgërdhyer në monotoninë e demagogjisë së vet. Nuk ka pasur kurrë një qasje ndershmërie të tyre drejt moralit, as më parë, as në regjimin e Berishës. Për fat të keq. Gjithmonë është ndier therëse kjo mungesë në opinionin publik, derisa, disa kohë më parë, u prezantua programi i Rilindjes, dhe njerëzit mbajtën frymën. Po, morali i munguar në tranzicion, u ndje për herë të parë brenda tij. Mund të themi se shpresa për një politikë të ndershme dhe të moralshme u ndez për herë të parë me këtë program, që falë dinamikës së Edi Ramës nisi të shndërrohej në frymë.

Por befas, në mes të ngazëllimit që për herë të parë politika shqiptare do të ishte e pastër në misionin e saj, si një mjet i sinqertë që do të përdorej më në fund jo më për krerët e pasuruar, dhjamosur, sykuqur politikanë, por për njerëzit e thjeshtë, për zhvillimin e vendit dhe drejtësinë, ra si rrufe në qiell të pastër ftesa e PS për LSI-në.

Për publikun, ftesa për Ilir Metën ishte si t’i hidhje një gotë ujë pilafit në vlim.

Arsyeja se përse reagimi opozitar ishte kaq emocional, ishte pikërisht kjo gjë, ndotja e beftë e moralit, e moralit politik që si risi, po afronte për herë të parë Edi Ramën. Reagimi, zhgënjimi më pas është i kuptueshëm. Njerëzit sot me të drejtë mund të pyesin. A mund të jetë në vazhdim e sinqertë Rilindja e Edi Ramës, ndërkohë që në krye të sofrës së saj, i ftuar nderi do të jetë “i korruptuari”, “i pabesi”, “hajduti”, Ilir Meta?
 
***
Të shohim vendimin e Edi Ramës për të ftuar Metën në koalicion. Gjithkush që ka intelektin e mjaftueshëm për të bërë zap emocionet, duhet të mbajë frymën dhe të gjykojë ftohtë duke pyetur veten: Pse e bëri këtë gjë Edi Rama? Për ç’shkak? Kush është arsyeja që i bëri ftesë Ilir Metës? Kanë rënë partitë befas në dashuri? Jo! Kanë qenë kundërshtarë akilianë në çdo qelizë të trupit të tyre. A nuk është Meta po ai njeri që e tradhtoi Ramën për Berishën, në 2009-n? Dihet! A mos vallë Rama beson papritur se Meta nuk e ka të fshehur diku nën astarin e brendshëm bllokun e llogarive? Jo, s’ka arsye, së paku tani për tani, ta besojë këtë gjë. Apo mos shpreson Rama që bashkë me ndryshimin e Papës në Romë, do ketë ndodhur një ndryshim i tillë shpirtëror te kryetari i LSI-së, saqë të jetë bërë tjetër njeri? Vështirë! E fundit, mos vallë Rama ka kuptuar, i vetmi ai, se ka ndodhur ajo vrasja magjike e ndërgjegjes së Ilirit, saqë ky, si njerëzit që befas takojnë Zotin, të ketë hyrë në një proces kristalizimi?

Jo edhe jo!

Vështirë të ketë një shqiptar të mendojë se Rama beson, apo shpreson që të ndodhë një ndryshim kaq i epërm i një njeriu saqë ky të jetë në nivelin të interferojë më moralin strategjik të RILINDJES. Atëherë pse e bëri Edi Rama këtë gjë, këtë ftesë? Çudi se si midis mijëra komenteve të trazuara dhe sedërlënduara nuk ngrihet kjo pyetje? Kur Zoti Meta është ai që është dhe nuk ka për të ndryshuar kurrën e kurrës, të paktën jo për mirë, pse duhej ftuar? Duhet të ketë një arsye sublime në mos arsyeja është që, i qetë e i sigurt për 23 qershorin, Edi Rama ndoshta po trembej nga vetmia që e priste në një pushtet absolut, ku do të mbante i vetëm si Zeusi, të gjitha rrufetë e pushtetit, pa ditur ku t’i shkarkojë dhe prandaj i shtriu dorën Ilir Metës, ta ndajë me të? Pra kush është motivi kryesor i ftesës më të vështirë? Kush mund të gjejë një arsye më të mirë se arsyeja që vetë Edi Rama deklaron publikisht, se LSI është ftuar, jo thjesht për të ndarë pushtet edhe mundësi me të, por për të shkulur përfundimisht, nga rrënjët, një regjim bastard, që po e fundos çdo ditë e më shumë, thellë na baltë edhe në llucë përfundimisht Shqipërinë?

Askush!

Sikur gjithkush t’i bënte vetes pyetjen, se si do të ishte më mirë, me apo pa Saliun, do ta kuptonte më mirë këtë motiv, këtë dorështrirje, këtë koalicion. Dikush mund të thotë se ky koalicion ka shpërdoruar moralin për të siguruar të ardhmen. OK. Kjo është një e vërtetë që na ndihmon për t’u ulur me këmbë në tokë. Për të menduar mirë se çfarë e pret këtë vend sikur Berisha të jetë ende në pushtet. Të kujtojmë bathorizimin e Shqipërisë. Të sjellim ndërmend plaçkitjen barbare të pasurisë publike që kjo kastë e pangopur i ka bërë këtij vendi. Monopolet, vrasjet, shpërdorimet, padrejtësitë.

Siç e thashë, Edi Rama është i fundit që do ndihej mirë nga ky koalicion, por këtu kemi të bëjmë më diçka që del mbi ambiciet, pushtetin dhe ndjeshmërinë e gjithkujt. Saliu duhet të ikë, është jetike kjo gjë. Me çdo çmim! Këtu luhet me fatin e Shqipërisë, me të ardhmen e saj. A është një orientim i drejtë apo i gabuar, që në kurriz të moralit, mbi mallkimin e një realiteti, të ngresh kolonat e së ardhmes? Pyetje e vështirë. Së paku është një strategji, të cilën koha do ta provojë. Është një plan, një mënyrë, një marifet, për të nxjerrë bishën nga strofulla. Është si t’i vesh zjarrin pyllit për këtë gjë. Do të ketë dhimbje, por do të sjellë edhe shpresë. Më 23 qershor. Po, është një gabim i vetëdijshëm, që bëhet për të mirën e përbashkët, që do të thjeshtohet sikur populli opozitar të gjejë forcë të dalë mbi pasionin e çastit, me vullnet të shëndetshëm, për të shpëtuar të ardhmen.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA