Ilir Yzeiri – Ditët e fundit u vu re shpërthimi i një dufi të pashoq për të shpalosur gjithkush e më mirë pozicionin e tij të lartë moral.
Pas afrimit të LSI-së me PS-në, rrjetet sociale, opinionistët, komentuesit e rrjeteve të ndryshme sociale apo të gazetave online, e kthyen gati në një sport kombëtar shpërfaqjen e moralizmit. Edhe në këtë pikë ne shqiptarët u dëftyem fantazmagorikë e qesharakë në ndonjë rast. P.sh., Jozefina Topalli, personazhi femër, që nga një pjesë e madhe e opinionit publik, politikisht vlerësohet si shumë antipatike, fliste nga studioja e TV-së sikur të ishte pjesë e ndonjë konklave ipeshkvijsh. Ajo e nisi dhe e mbaroi hakërrimin e saj me moralin, me arsyetimin për moralin. Pra, marrëveshja e Metës me Ramën e bëri përnjëmend edhe Jozefinën profesoreshë të moralit. Mirëpo, kështu rrëzohet përdhé edhe shqetësimi i sinqertë i shumë kolegëve të mi gazetarë, të cilët moralin dhe ndershmërinë në jetë dhe në profesion e kanë zgjedhur si kriter të jetës së tyre. Po ka dhe më. Ilir Meta, njeriu që është anatemuar me të drejtë nga gjithë gazetarët që nuk e kanë gëlltitur marrëveshjen e LSI-së me PS-në, shfaqet në TV i lumtur dhe na lajmëron se pas kësaj marrëveshjeje, LSI-ja po mbushet me të rinj, se radhët e saj po shtohen, se në popull ka një entuziazëm të madh. Por këto dhe të tjera shqetësime nxjerrin edhe njëherë në reliev çështje të tilla si demokracia dhe korrupsioni, demokracia dhe morali publik, – orali dhe e drejta publike e kështu me radhë. Por le të kthehemi në fillim. Jozefina Topalli, pra, fill pas marrëveshjes së LSI-së me PS-në, doli në një TV dhe nisi të shtjellojë leksione morali. Kjo zonjë duhet ta dijë se ajo vetë është një ndër politikanet më të pamoralshme, sepse ka marrë dhëndrin e saj dhe e ka emëruar në ambasadën tonë në Paris, në mënyrë që e bija e saj të vijojë shkollën atje dhe të dy ata të rrinë në një banesë që paguhet nga paratë e mia dhe me paratë e të gjithë taksapaguesve shqiptarë. Kjo zonjë është e pamoralshme, sepse në demokraci është një konflikt i egër interesi që të përzihet publikja me privaten. Blloku i Ilir Metës është i njëjtë me faturën që dërgon Ministria jonë e Jashtme për të paguar banesën në mes të Parisit ku jeton vajza e Jozefinës me dhëndrin e saj. E gjithë kjo histori më kujton përsëri aferën me ministrin francez Jerome Cahuzac. Edhe në atë rast media theksonte se partia e ish-presidentit Sarkozi nuk ka të drejtë morale që të ngrejë zërin për skandalin e ministrit socialist, sepse ish-lideri i tyre po hetohet për një aferë të tillë. Pra, vetëm PD-ja dhe sidomos Jozefina e hierarkë të tjerë të sundimtarëve të këtij vendi, nuk kanë të drejtë të na shesin moral.
Ana tjetër e problemit është se një pjesë e shqiptarëve vërtet nuk interesohen shumë për moralin. Ajo që deklaron Ilir Meta se pas afrimit me PS-në, LSI-ja po shtohet, mund edhe të jetë e vërtetë. Midis publikut dhe opinionit publik ka një diferencë të madhe. Në një demokraci normale e serioze, çdo ngjarje politike do të ndiqte tri rrugë: debati mes politikanëve, media dhe sondazhet. Pra, pas marrëveshjes LSI-PS, opinioni do të duhej të niste analizën duke u nisur nga sondazhet. Kjo marrëveshje e ka rritur apo e ka ulur përqindjen e votuesve të opozitës, e ka ulur apo e ka ngritur përqindjen e votuesve të qeverisë, të AK-së, të FRD-së e kështu me radhë. Mirëpo ne jemi një demokraci e pakonsoliduar dhe me defekte, ndaj edhe opinionet, debatet, analizat kanë më shumë frymë folklorike e partizane disa herë. Mirëpo në qoftë se e vështron nga një kënd tjetër gjithë debatin që u shtoll këto ditë mbi moralin në politikë dhe për raportin e demokracisë me korrupsionin, do të vëresh se ne jemi shumë e shumë vite prapa në fushë të instalimit të demokracisë. Rosanvalon është një studiues shumë i njohur i filozofisë. Ai thotë se historia e kombeve moderne është ndërtuar me prirjen për të nxjerrë në pah të mirën publike dhe për ta dalluar atë nga e mira private. Demokracia është ndarja e thellë mes publikes dhe privates. Kjo do të thotë që duhet ndërtuar hapësira publike si themel i shoqërisë. Shih për këtë, thotë ai, fjalët e para të Kushtetutës amerikane: “We, the people”. Korrupsioni është gjithçka që shkatërron të mirën publike. Dhe më pas ai dallon tri forma të korrupsionit: a) korrupsioni grabitqar; b) korrupsioni i çrregullt dhe c) korrupsioni me kompensim. E para, që është edhe më e dukshmja, është kthimi i të mirave publike në të mira private (grabitja). E dyta, synon që ta kufizojë nocionin e së mirës publike dhe shfaqet sidomos atëherë kur partitë bëhen pronare të një interesi imediat publik, duke cenuar frymën e përgjithshme publike dhe e treta mbështetet në aksiomën fatale: një e drejtë private për një padrejtësi publike. Korrupsioni te ne për fat të keq shfaqet edhe në mënyrën më të egër sesa këtu dhe më hapur gjithashtu. Kjo ka bërë që në Shqipëri të krijohet një klimë armiqësore ndaj klasës politike, ndërsa aleanca të tilla e kanë transformuar qytetarin shqiptar në një qenie pa jetë dhe të pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen. Ne jemi në atë fazë ku denoncimi na ka çuar në dorëheqje e në dorëzim dhe ne jemi kthyer nga qytetarë aktivë në hije të zbehta të qytetarit të harruar pasiv. Ndaj Jozefina ka të drejtë që të na bëjë leksione morali dhe Ilir Meta ka të drejtë të ngazëllehet nga shtimi i radhëve të LSI-së.
Top Channel