Presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela la spitalin ku ishte shtruar që më 28 prill pas shqetësimeve shëndetësore që pati.
Lajmi u njoftua nga zyra për shtyp e presidencës afrikano-jugore ku thuhet se shëndeti i ish-presidentit vazhdon të përmirësohet gradualisht.
“Mandela la spitalin dhe gjendja e tij shëndetësore e përgjithshme është e mirë”, thuhet në njoftimin e presidencës së Afrikës së Jugut. Një ditë më parë, bashkëshortja e cmimit Nobel për Paqe deklaroi se shëndeti i tij po përmirësohet vazhdimisht dhe se po tejkalonte infeksionin në mushkëri.
Graca Machel ka siguruar për gjendjen shëndetësore të 94-vjeçarit në një televizion afrikano-jugor. Të mërkurën, burimet spitalore njoftuan se Nelson Mandela po bën përmirësime të vazhdueshme.
Familja e Mandelës ka mundur të vizitojë 94-vjeçarin në spital gjatë këtyre ditëve dhe ka qëndruar përkrah gjatë përmirësimit të vazhdueshëm shëndetësor. Për mjekët, i rëndësishëm është fakti se trupi i të moshuarit po i përgjigjet mjekimeve shumë më mirë se sa në datën e shtrimit të tij, në 28 mars.
Ky është shtrimi i katërt i heroit të luftës kundër racizmit në Afrikën e Jugut në dy vjet. Në dhjetor, Mandela qëndroi i shtruar për tre javë për t’u kuruar nga një infeksion në mushkëri dhe gurë në veshka, periudha më e gjatë si i shtruar që prej largimit nga burgu në vitin 1990. Në shkurt, fituesi i çmimit Nobel për Paqen në vitin 1993, gjithashtu u kurua për shkak të një problemi në stomak.
Presidenti i parë pas fitimit të demokracisë, Mandela vuajti 27 vite burg, duke u shndërruar në një simbol të luftës për barazi shoqërore dhe demokraci. Prej disa vitesh, presidenti i parë me ngjyrë në vendin ish-koloni britanike, Mandela është tërhequr nga jeta publike në Afrikën e Jugut, për shkak të problemeve të tij shëndetësore.
Top Channel