Francë, ligji i martesave gay në Senat

04/04/2013 18:25

Senati i Francës nisi të enjten një debatin mbi një ligj kontradiktor, mbi të drejtën e çifteve të së njëjtës gjini për t’u martuar dhe birësuar fëmijë.

Dhoma e ulët e Parlamentit miratoi më parë gjatë shkurtit ligjin. Nëse ai do të kalojë edhë në Senat, atëherë vetëm Gjykata e Lartë (ekuivalente me atë Kushtetuese në Shqipëri) mund të pengojë francezët e komunitetit “LBGT” që të lidhen në martesë, një lëvizje që duket se nuk ka gjasa të ndodhë.

Debati për martesat homoseksuale ka ndezur një përballje të gjerë civile në Francë, me protesta dhe kundërprotesta të vazhdueshme të mbajtura në qytetet kryesore.

Në Paris, për herë të parë në historinë e Francës, më parë gjatë 2013-s, në një manifestim që kundërshtonte ligjin pjesëmarrja kaloi një milionë demonstrues.

Në kundërpërgjigje, rreth 400 mijë përkrahës të ligjit zaptuan sheshet të nesërmen.

Ligji i mbështetur nga presidenti Hollande përballet me kundërshtimin e ashpër të Kishës Katolike, grupeve të tjera fetare dhe konservatorëve, që kanë shpallur manifestime të reja të mëdha në Paris në javët e ardhshme.

Megjithatë, ai mbështetet gjerësisht nga liberalët, grupime të të drejtave të njeriut dhe një sërë organizatash ndërkombëtare.

Franca nuk është i vetmi vend i përfshirë në debatin për martesat e komunitetit “LBGT”, pasi dy shtete të tjera të mëdha, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe gjithashtu po debatojnë mundësinë e zgjerimit të së drejtës të martesës edhe për këtë komunitet.

Top Channel