Në spektaklin e “Big Brother”, ditën e shtunë, u zbulua sekreti i madh i Eldorës.
27-vjeçarja, e lindur me sëmundjen e talasemisë, ka nevojë të vazhdueshme për transfuzione gjaku për të jetuar.
E megjithatë, duke u shndërruar në një shembull force dhe kurajo njerëzore brenda “Big Brother”, e reja nga Berati ia ka dalë të sfidojë sëmundjen sëmundjen e parakurueshme, duke u futur edhe në Universitetin e Infermierisë e duke bërë një jetë krejtësisht të zakonshme.
Disa orë më pas, në “Fan Club”, programin në të cilin nën drejtimin e Albana Osmanit dhe Olti Currit komentohen ngjarjet që ndodhin brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri, e ftuar ishte nëna dhe tezja e Eldorës, të cilat ndanë me publikun bashkëjetesën me një familjar të prekur nga kjo sëmundje.
”Nëntë muaj pasi lindi, zbuluam që ishte e sëmurë, pasi shëndeti nuk po ecte siç duhej, nuk shtonte në peshë. Bëmë shumë analiza, pasi nuk e dinim nga mund të vinte sëmundja, por kur mësuam që ishte një anemi e lindur u trishtuam jashtëzakonisht shumë”, deklaroi zonja Efterepi Koçi, nëna e Eldorës.
Për shkak të sëmundjes, nëna e Eldorës kishte kundërshtimet e saj për futjen e të bijës në “Big Brother”. “Në radhë të parë është çliruar për veten e saj, edhe ne gjithashtu. Në kohën kur zbuluam sëmundjen e saj, në Shqipëri njihej shumë pak dhe nuk kurohej. i jepnin ferosulfat, kur ajo hekurin e kishte të shtuar dhe ja shtonin edhe më shumë. Kështu vazhdoi për nëntë vjet, me mjekime, disperal e transfuzione”, tregon zonja Koçi.
”Jeta e saj dhe e jona deri tani ka qenë jashtëzakonisht e vështirë. Kur Eldora ishte 12 vjeç ndërroi jetë burri. Unë punoja në kombinat, jetonim me shumë vështirësi, nuk përballonim dot koston e vatje-ardhjeve në Tiranë, jo më mjekimet. E megjithatë duke menduar për këtë fëmijë, me përkrahjen e njerëzve të mi, ia dolëm deri kur shkoi 17 vjeç, pastaj erdhëm në Tiranë. Në moshën 12 vjeç e çuam në Janinë, mjeket u habitën atëherë e thanë si ka mundësi që ka jetuar kaq gjatë me këtë përparim që ka pasur sëmundja”, tha nëna e 27-vjeçares, që e përlotur, drejtoi një apel për të gjithë për të dhuruar gjak, për të gjithë të prekurit nga talasemia dhe njerëzit e tjerë në nevojë si Eldora.
Duke kujtuar peripecitë dhe momentin e dërgimit për kurim në Janinë, motra e nënës së Eldorës, pra tezja e saj Nikoleta, tha: “Kur ishte 12 vjeçe Eldora, na ndihmuan në Berat një prift e na çoi në Janinë. Atje kishte një sensibilizim të madh për këtë sëmundje, madhe edhe infermierët e mjekët vuanin vetë e aty Eldora mori zemër, edhe pse në fillim u tremb nga mjekët që i rinin në kokë. Ata thonin si ka mundësi që me këtë përparim të sëmundjes, kjo qëndron në këmbë. Eldora ka grup gjaku të rrallë, mund të japë por s’merr dot nga shumë persona, pasi është “Zero Pozitiv”. Në Greqi kishte banka me shumica gjak, ndërsa në Shqipëri është i pakët. Megjithatë ajo erdhi më mirë, ne vazhduam kurat deri kur erdhi në Tiranë, 17 vjeçe dhe që prej atëherë gjërat kanë qenë më të lehta. Megjithatë, vetë Eldora ka qenë shumë herët e vogël në rrezik serioz për jetën e saj”.
Nëna e Eldorës, e cila tha se nëse e bija do të fitojë çmimin e madh, me shumë mundësi do të përdorë paratë për një kurë të shtrënjtë që do të zgjidhë përfundimisht problemin e saj, në fund komentoi edhe afrimin e të bijës me Shpendin. “Mendoj se ka gjetur një mik të mirë, një mbështetje për të cilën kishte nevojë tek Shpendi. Sidoqoftë, Eldora është 27 vjeç, ajo e di shumë mirë se çfarë bën dhe nëse do të ketë ndonjë gjë jashtë, i takon asaj të vendosë. Për mua, kryesorja është që ajo të jetë e lumtur”.
Top Channel