Me proçesionin tradicional “Via Crucis” përreth Koloseumit, Papa Françesku kremtoi të premten e tij të parë të shenjtë të Pashkëve që prej vendosjes në krye të Kishës Katolike.
Mijëra vetë e ndoqën atin e shenjtë në përshkimin e udhës së kryqit pranë amfiteatrit antik, si shtegtim pendese, dhimbjeje dhe kthese, që në çastin kur Krishtit iu vu në kurriz kryqi i drunjtë e deri në momentin e gozhdimit.
“Ndonjëherë duket sikur Zoti nuk reagon ndaj së keqes, sikur ai hesht. E megjithatë, Zoti ka folur dhe përgjigjia e tij ishte kryqi i Krishtit. Një e thënë që nënkupton dashurinë, mëshirën, faljen. Por është edhe një gjykim, që do të thotë se duke na gjykuar, Zoti na do të gjithëve ne”, u shpreh Papa.
Ati i shenjtë u bëri thirrje të krishterëve t’i përgjigjen të keqes me mirësi, duke i kujtuar se “e liga vazhdon të mbetet mes nesh”.
Një grup të rinjsh nga Libani kishin shkruar meditimet për 14 ndalesat tradicionale që kujtojnë ngjarjet e orëve të fundit të jetës së Jezu Krishtit, nga dënimi i Ponc Pilatit e deri tek vdekja dhe vendosja e trupit në një varr të hapur në shkëmb.
Kryqi i drunjtë u kalua nga një grup personash tek tjetri, mes të cilëve ishte dhe një i paralizuar në karrocë invalidësh. Njerëzit që e mbajtën kryqin ishin nga Italia, India, Kina, Nigeria, Siria, Libani e Brazili.
Disa nga pjesët e shkruara për këtë rast e të lexuara nga aktorë profesionistë, i referoheshin konfliktit në Lindjen e Mesme dhe vuajtjeve të popullit.
Françesku lavdëroi libanezët e krishterë e myslimanë që përpiqen të bashkëjetojnë në krah të njëri-tjetrit, duke i përcjellë kësisoj një rreze shprese mbarë botës.
E Premtja e Zezë dhe Pashkët janë, sipas kuptimit kristjan, ngjarje me rëndësi universale për njerëzit. Të dyja së bashku mund të japin shpresë si festë e Krishtërimit.
Top Channel