Rusia paralajmëroi për mundësinë e daljes jashtë kontrollit të tensioneve në Korenë e Veriut, një ditë pasi Peniani rriti shkallën e provokimeve, duke vendosur në gatishmëri raketat e tij, përfshi ato bërthamore.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, vlerësoi të premten se situata mund të jetë shumë pranë “rrëshqitjes në një rreth vicioz, një spirale tensioni me rrjedhoja të pallogaritshme”.
“Nuk mund t’i lejojmë vetes që kjo situatë të vazhdojë të përkeqësohet”, shtoi Lavrov, ndërsa Kina, aleati i vetëm i madh i regjimit komunist, bëri githashtu thirrje për përmbajtje.
Deklarata e tij erdhi ndërsa Kim Jong-un, kërcënoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Korenë e Jugut me një sulm bërthamor, pasi disa bombardues amerikanë të pazbulueshëm u dërguan në jug.
“Ka ardhur koha që të lajmë llogaritë një herë e mirë me imperialistët amerikanë”, deklaroi të enjten diktatori 29-vjeçar i Koresë, në Agjensinë Koreane të Lajmeve “KCNA”.
Tensioni në Gadishullin Korean ka ardhur në një spirale përshkallëzimi të rrezikshëm që prej muajit dhjetor, kur Peniani lëshoi në hapësirë një satelit, nëpërmjet një rakete me rreze të gjatë veprimi dhe kreu një shpërthim bërthamor, në muajin shkurt, në kuadër të testimit të armëve të reja.
Si rrjedhojë e këtyre veprimeve në kundërshtim me paktet dhe zotimet e firmosura nga Korea e Veriut përpara OKB-së, vendi komunist u bë subjekt i sanksioneve të reja ekonomike, të cilave Peniani iu përgjigj në mënyrë sfiduese, duke anulluar armëpushimin e vitit 1953 me Korenë e Jugut dhe duke rikthyer gjendjen e luftës, së bashku me kërcënimet për shkatërrimin e plotë bërthamor.
Top Channel