Netanyahu lajmëron eliminimin e njërit prej komandantëve të Hamasit: Ishte i përfshirë në planifikimin e sulmeve dhe rekrutimin e militantëve
Ish-ministri i Kulturës i Hungarisë dhe deputeti aktual, Balazs Hanko, është arrestuar pas akuzave për përvetësim fondesh në Fondin Kombëtar të Kulturës (NKA), institucion që mbikëqyret nga Ministria e Kulturës.
Prokuroria hungareze bëri të ditur të martën se Hanko u ndalua të hënën në mbrëmje në ambientet e Administratës Kombëtare të Tatimeve dhe Doganave, pasi parlamenti votoi për heqjen e imunitetit të tij.
Hanko i ka mohuar akuzat. Para arrestimit, në një transmetim të drejtpërdrejtë në “Facebook”-un e kryeministrit Viktor Orban, ai deklaroi se “ndërgjegjja ime është e pastër” dhe e cilësoi çështjen si një “gjyq politik”.
Hetimi lidhet me pretendime se Fondi Kombëtar i Kulturës ka kanalizuar miliarda forinta në grante shtetërore drejt artistëve dhe organizatave me lidhje me partinë Fidesz, përmes një procesi jo-transparent të shpërndarjes së fondeve. Personat dhe organizatat e përfshira kanë mohuar çdo shkelje.
Në korrik, policia bastisi zyrat ku ndodhen serverët e internetit të Fidesz-it, në kuadër të hetimit për “përvetësim dhe vepra të tjera penale” të dyshuara në lidhje me fondin kulturor.
Hanko nuk është i vetmi ish-zyrtar i lartë i arrestuar. Të hënën u ndalua gjithashtu Miklos Sesztak, i cili ka shërbyer si ministër i Zhvillimit Kombëtar në qeverinë e Orbanit nga viti 2014 deri në vitin 2018. Ai po hetohet për dyshime për ryshfet dhe, gjithashtu, mohon çdo shkelje.
Zhvillimet vijnë në një kohë kur qeveria e kryeministrit Peter Magyar ka intensifikuar fushatën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të fondeve publike. Magyar deklaron se korrupsioni dhe keqpërdorimi i parave publike i kanë kushtuar Hungarisë mes 8% dhe 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitet e fundit, nën qeverisjen e ish-kryeministrit Viktor Orban.
Orban ka mohuar akuzat se ka lejuar që korrupsioni të mbetet i pandëshkuar gjatë 16 viteve të tij në pushtet.
Në një reagim në “Facebook”, Magyar e cilësoi të hënën si një ditë të rëndësishme, duke thënë se pas dekadash, shumë hungarezë po përjetojnë atë që ai e përshkroi si “barazi para ligjit”.
Hetimi ndaj Hanko-s dhe Sesztak-ut mbetet në zhvillim, ndërsa autoritetet pritet të marrin në shqyrtim edhe raste të tjera të dyshuara të korrupsionit dhe keqpërdorimit të fondeve publike.
Top Channel