Conte: Mendojmë vetëm për Interin

29/03/2013 11:30

Antonio Conte, trajneri i Juventusit, as që do të dëgjojë të flitët për ndeshjen çerekfinale të Champions League, përballë Bajernit të Mynihut.

Arsyeja është e thjeshtë, përpara se të mendojë për Europën, Juventusi ka një tjetër supersfidë brenda vendit, atë të derbit të Italisë, përballë Interit.

“Për këtë skuadër, ndeshja e jetës është gjithmonë ajo e radhës, prandaj në këtë moment, është ajo me Interin”, deklaroi trajneri i kampionëve të Italisë, ditën e premte.

“Kam lexuar shumë komente për mënyrën se si do të luajmë ndaj Bajernit apo rotacionin e mundshëm në kampionat, por kjo është tërësisht e gabuar. Ndeshja e madhe, në këtë moment është ajo me Interin. Duam të riafirmohemi në kampionat dhe nuk do të jetë e lehtë, pasi luajmë ndaj një kundërshtari që luan vetëm për fitore”.

Në lidhje me kundërshtarin, Conte shtoi: “Në një ndeshje të vetme, Interi mund të mundë këdo. Nëse do të kisha mundësi t’u hiqja një futbollist, do të hiqja Zanettin, është shpirti dhe zemra e tyre në fushë. Renditja e Interit nuk është reale”.

Trajneri juventin komentoi edhe kalendarin e ardhshëm të ekipit të tij. “Kemi gjashtë ndeshje në 21 ditë, të gjitha të bukura dhe që të japin shumë stimuj. Jemi ende në lojë për të fituar kampionatin dhe Champions, prandaj deri tani ky sezon ka qenë i suksesshëm. Megjithatë, është ky momenti në të cilim vendoset nëse sezoni do të jetë i mirë apo i paharrueshëm. Në çdo rast, ne do të marrim ndeshjet njëra pas tjetrës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA