Pavarësisht protestave të përditëshme një javore, firma e ngarkuar me zhvendosjen e disa pjesëve të murit historik të Berlinit rinisi punën në mesin e një pranie të madhe policore.
Katër segmente, të së ashtuquajturës galeria lindore, janë spostuar për të lejuar hyrjen në një zonë ndërtimi me blloqe apartamentesh. 250 policë ndodheshin në zonë në ato momente. Projekti ka ngjallur zemërimin e qytetarëve, që e konsiderojnë murin e Berlinit, simbol të lirisë.
“Mënyra, se si po na trajtojnë, është e pabesueshme. Vetëm dy javë më parë folëm me kryebashkiakun e Berlinit dhe menduam se gjetëm gjuhën e kompromisit. U duk i interesuar për argumentet tona dhe tani dëgjojmë se dhjetra policë janë dërguar te muri, për ta mbrojtur nga demonstruesit. Por nga çfarë do ta mbrojnë? Këtu gjithçka është kryer natën dhe askush nuk kishte dijeni”, tha Andi Weiss, anëtar i komitetit të “East Side Gallery”.
Në 1 mars u tentua të spostoheshin disa blloqe të murit, por protestuesit e egërsuar bllokuan menjëherë zonën, duke mos lejuar vazhdimin e punimeve. Muri i Berlinit, prej 155 kilometrash rreth enklavës demokratike perëndimore, u hap mbrëmjen e 9 nëntorit 1989 dhe, në këtë mënyrë, kufiri mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore humbi kuptimin, ashtu si dhe vetë shteti socialist i Gjermanisë.
11 muaj pas rënies së tij, Gjermania do të ribashkohej. Në Galerinë Lindore, 1300 metra e gjatë, punuan në vitin 1990, 118 artistë nga 21 vende të botës. Dy vjet më vonë ajo u shpall monument historik nga Bashkia e Berlinit dhe u kthye në njërën prej pikave turistike më të rëndësishme të qytetit.
Top Channel