Në kuadër të zgjedhjeve të 23 qershorit nis sot trajnimi i forcave të policisë për përballimin sa më mirë të situatës. Ky trajnim organizohet nga prezenca e OSBE-së në vendin tonë dhe Policia e Shtetit.
Në fjalën e tij, ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wolfarth, deklaroi se roli i policisë gjatë zgjedhjeve është thelbësor.
“Policia e Shtetit është abolutisht thelbësore në ecurinë e procesit zgjedhor. Nga raportet e OSBE-ODIHR-it në zgjedhjet e kaluara, është treguar se policia ka treguar gjithmonë profesionalizëm. Zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë shumë të rëndësishme për Shqipërinë në lidhje me integrimin e Shqipërisë në BE. Unë kam besim se policia do të arrijë të kryejë sërish me sukses detyrën e saj”, theksoi Wolfarth, i cili shtoi se ky trajnim do të jetë shumë i vlefshëm.
“Kam besim se trajnimi do t’ju ndihmojë për detyrat e veçanta që do ju caktohen në mënyrë që në të gjithë vendin të ketë standarte të larta. Duhet që puna normale e policisë të vazhdojë me dedikim të lartë edhe pse jemi në kohë zgjedhjesh”, shtoi ambasadori i OSBE-së.
Wolfarth tha se, OSBE-ja po përgatit një broshurë informative për rolin e veçantë të policisë në proçesin zgjedhor, e cila do t’u shpërndahet të shtatë mijë policëve.
Nga ana tjetër, kreu i policisë Hysni Burgaj u shpreh se, policia dhe çdo punonjës policie duhet të punojë vetëm për zbatimin e ligjit, Kodit Zgjedhor dhe udhëzimit të KQZ-së.
Pas trajnimit të 150 kursantëve, sesionet e tjera do të shtrihen në nivelet operative dhe taktike tek i gjithë personeli policor që do të jetë i angazhuar në zgjedhje.
Top Channel