
Biznesi i vogël mirëpret heqjen e taksës që Partia Socialiste ka premtuar, duke e cilësuar një lehtësim për të vetëpunësuarit në të.
Në takimin e kryetarit të opozitës, Edi Rama me të vetëpunësuarit në këtë biznes në qytetin e Elbasanit, rënia e fuqisë blerëse dhe listat e pafundme të borxheve janë theksuar prej tyre si tregues të një situate tejet të vështirë ekonomike.
“Këto lista i kam këtu, tre fletore të tjera që kisha mi ka grisur çuni, por unë prap jap bukë me listë sepse më vjen keq për njerëzit. Kjo është historia jonë, jemi në një situatë shumë të keqe”, tha një tregtare.
“Unë mora lekë në bankë për kasën fiskale, por prap punoj me listë, shife fletoren”, u ankua një tjetër.
Ndërhyrja do të jetë radikale, u tha Rama të vetëpunësuarve në biznesin e vogël. “Me biznesin e vogël duhet bërë një zhvillim radikal, duke lehtësuar të gjitha peshat fiskale e administrative, që ata të marrin pak fryme, sepse ky është një degradim ekonomik, social, shoqëror dhe masiv. Prandaj këtu duhet ndërhyrë urgjentisht”, theksoi Rama.
Heqja e taksës së biznesit të vogël është masa e parë fiskale që PS ka premtuar se do të zbatojë menjëherë pas 23 qershorit, duke besuar se kjo do t’i japë frymëmarrje 70 mijë familjeve që mbahen me këtë biznes.
Gjithashtu, PS premton aplikimin së shpejti të taksës progresiste, përmes të cilës do të taksohen më shumë ata që fitojnë më shumë dhe më pak ata që fitojnë më pak.
Top Channel