Platforma elektorale e opozitës

20/03/2013 00:00

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama priti në orët e pasdites së mërkurë në Selinë Rozë, krerët e partive aleate në koalicionin opozitar ku u prezantoi këtyre të fundit një projekt-platformë të bashkëpunimit elektoral dhe paszgjedhor.

Takimi nisi rreth orës 16:30 minuta me dyer të mbylluara dhe zgjati pak më shumë se një orë. Në fund të tij, mbi hollësitë se cfarë u diskutua në tryezën ku morën pjesë 31 partitë e koalicionit qeveritar, para gazetarëve doli kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo.

Milo tha se aleatët ranë dakort parimisht mbi projekt-platformën e paraqitur nga PS. Në të, shtoi ai, ishin refelektuar vërejtjet e partive aleate të PS-së.

Sipas Milos, platforma pritet të firmoset në takimin e ardhshëm që mund të mbahet brenda pak ditësh, ndërsa shtoi se etapa tjetër do të jetë nënshkrimi i marrëveshjeve të vecanta mes PS-së dhe gjitha partive të koalicionit.

“Pas disa ditësh do të shkojmë drejt nënshkrimit të kësaj projekt-platforme për ta kthyer në dokument përfundimtar që do udhëheqë koalicionin opozitar drejt zgjedhjeve. Pasi të nënshkruhet kjo platformë do të ketë një etapë tjetër që do të vijojë me nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe mes PS dhe gjithë partive të tjera, ku përcaktohet qartë mbi bazën e vlerave dhe kontributit në zgjedhje pjesëmarrja e partive në qeverisjen e ardhshme”, tha Milo.

Kreu i PDS-së zbardhi disa detaje të platformës së propozuar nga socialistët. Kështu në të parashikohet bashkëpunim lokal mes PS dhe partisë së koalicionit nëse kjo e fundit merr nga 500 deri në 1000 vota në rang qarku, dhe bashkëpunim në nivel qendror të pushtetit nga 5 mijë deri në 10 mijë vota.

Milo tha se platforma lë të hapur derën për cdo parti tjetër që dëshiron të bashkëpunojë në zgjedhjet e ardhshme me koalicionin opozitar, ndërsa mohoi se në takim është diskutuar për të ftuar ose jo LSI-në që të bëhet pjesë e këtij blloku.

“Nuk pati asnjë përmendje të LSI-së dhe të asnjë partie tjetër politike jashtë koalicionit tonë. Gjithcka u diskutua ka qenë thjeshtë mënyra e ndërtimit të koalicionit tonë. Koalicion është me 31 parti politike dhe po zgjerohet, po forcohet dhe që sot mund të them që është koalicioni i fitores në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, mbylli fjalën e tij zoti Milo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA