Bien të ardhurat nga taksat

19/03/2013 19:45

Financat e qeverisë kanë hyrë në një spirale të pandalshme negative. Të dhënat e fundit zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se në shkurt të ardhurat totale të mbledhura në buxhetin e shtetit ishin 1.5 miliardë lekë më pak se një vit më parë, ose 6.5 për qind më të ulëta.

Si dymujor, të ardhurat totale të këtij viti janë thuajse të barabarta me ato të një viti më parë, por kjo për shkak të rritjes së fortë që pati në zërin e të ardhurave jotatimore gjatë muajit janar.

Këtu përfshihet tatim-fitimi i Bankës së Shqipërisë dhe të ardhurat që grumbullohen nga institucionet buxhetore për shërbimet që kryejnë ndaj qytetarëve, që gjithësesi janë të paqëndrueshme.

Ndërsa të ardhurat nga tatimet dhe doganat, që janë edhe treguesi real i ecurisë fiskale të qeverisë, janë këtë dymujor 1 miliard lekë më të ulëta se një vit më parë.

Rënia e të ardhurave ka prekur zërat më kryesorë të buxhetit. Tkurrja më e fortë është ajo e taksës bazë të konsumit, tatimit mbi vlerën e shtuar.

Sipas shifrave, në dy muajt e parë të këtij viti të ardhurat nga TVSH-ja ishin 9 për qind më të ulëta se një vit më parë, duke parlajmëruar rënie të mëtejshme të konsumit.

Rënia e të ardhurave e ka detyruar qeverinë të rrisë huamarrjen e brendshme për të financuar shpenzimet e saj. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm për dy muajt e parë të vitit, qeveria ka marrë 97 milionë dollarë borxh, që është sa 35 për qind e gjithë planit vjetor.

Veç rezultateteve negative në këto dy muajt e parë, financat e qeverisë do jenë edhe nën presionin e vitit elektoral, një rrezik shtesë, që mund t’i nxjerrë financat publike jashtë kufijve zyrtarë të buxhetit, duke cënuar qëndrueshmërinë financiare të vendit.

Top Channel