Ushqimet e pasigurta, debat Braçe-Ruli

18/03/2013 00:00

Deputeti i Partisë Socialsite, Erjon Braçe ka akuzuar ministrin e Bujqësisë, Genc Ruli për papërgjegjshmëri dhe mungesë profesionalizmi për t’u garantuar shqiptarëve siguri në ushqimet që konsumojnë.

Braçe kishte thirrur në interpelancë ministrin Ruli për të sqaruar çështjen e aflatoksinës në qumësht. “Ju i thatë shqiptarëve për nivelet e alfatoksinës. Ju pyes, cili është niveli i pasqyrimit të standarteve të ushqimeve”, iu drejtua Braçe-Rulit.

“Shtetet e Bashkuara kanë si normë të pranueshme nivelin 0.5 mikrogramë për kilogram. Ndërkohë që ne e kemi më të ulët. S’ka një rast të sugjeruar. Prezenca e alfatoksinës, po s’qe në këtë dozë sjell pasoja. Të mos e ekzagjerojmë panikun”, u përgjigj Ruli.

“Dëmin tek fshatarët e Lushnjes dhe tek prodhuesit e qumshtit në fabrika e shkaktove ti, kur the se ka alfatoksinë dhe i çove kampionet në Itali. 5 ditë dëmtim ekonomisë së vendit. Madje, ke akuza politike që i ke bërë ti me kryeministrin tënd”, vijoi Braçe.

Braçe provoi dhe praninë e hormonit boldomex në farmacitë veterinere, çka sipas tij shkakton pasiguri në konsumin e mishit, ndërkohë që Ministria e Bujqësisë kishte dekaluar se ky hormon është i ndaluar.

“Korrik 2018, do t’ia japë kryeministrit për përdorim deri në vitin 2018, që gjoja na qenka e ndaluar”, tha Braçe. “Ky produkt nuk ka hyrë në Shqipëri që prej 2007-ës. Mund të ketë hyrë vetëm kontrabandë”, replikoi Ruli.

Braçe ka akuzuar Ministrinë e Bujqësisë për korrupsion dhe kërkon nisjen e një hetimi lidhur me këtë, ndërkohë që ka treguar se institucionet e sigurisë ushqimore nuk funskionojnë, pasi në to drejtojnë njerëz pa lidhje me sigurinë ushqimore dhe se AKU është mbushur me zooteknikë dhe militantë partie.

“Po flasim vetëm për qumështin dhe bulmetin, nuk po flasim për grurin, misrin dhe drithërat e tjera se sa është niveli i alfatoksinës. Sepse institucionet nuk funksionojnë. Këtë e thotë raport-progresi i BE. Autoritetin e keni ndarë mes partive dhe keni vënë njerëz që nuk kanë lidhje me këtë punë”, theksoi Braçe.

Top Channel