Përplaset me tragetin, mbytet peshkarexha

18/03/2013 00:00

Një peshkarexhë është mbytur në basenin e portit detar të Durrësit gjatë
manovrave të tragetit “AF Michela” për t’u ankoruar në kalatë. Kushtet
atmosferike kanë ndikuar në manovrat e tragetit të linjës Bari-Durrës
duke shkaktuar përplasjen e tij fillimisht me një anije kontenierësh dhe
më pas me peshkarexhën “Aquario 2”.

Goditja ka qenë fatale për peshkarexhën e cila është mbytur në basen, ndërsa anija tregtare ka pësuar dëmtime të vogla.

Një grup nga Kapiteneria e portit detar të Durrësit ndodhet në vendin e ngjarjes. Paraprakisht nuk raportohet për ndotje detare, ndërkohë që kushtet atmosferike, ndonëse jo të mira, nuk kanë qenë të tilla sa të diktonin incidentin që u mbyll me mbytjen e mjetit lundrues të peshkimit. Në Kapiteneri bëjnë të ditur se era fryn në drejtimin jug-lindje me shpejtësi 10 metra/sekondë, ndërsa deti regjistron forcën 5 ballë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA