Ligji për Armatosjen e zyrtarëve

18/03/2013 00:00

Kuvendi ka miratuar me 66 vota pro dhe 56 ndryshimet në Ligjin e Armëve,
të propozuar nga Ministria e Brendshme që parashikon pajisjen me armë
të zyrtarëve të lartë të shtetit.

Propozimi i ministrit të Brendshëm ka sjellë kundërshtimin e menjëhershëm të socialistëve në sallën e Kuvendit, që e kanë konsideruar si tendencioz miratimin e këtij ligji në prag të fushatës elektorale.

Sipas deputetëve të PS, ky projektligj liberalizon tregun për shitjen e armëve.

“Ka ditë që biznesi i armëve mezi pret licencimin miliardave të gjakut, a thua se jemi përpara një lufte dhe të gjithë ushtarë”, tha deputeti i PS, Arben Isaraj.

Menjëherë ka reaguar deputeti demokrat, Osman Metalla i cili në përgjigje të akuzave të socialistëve, i cilësoi ato si spekulime të shëmtuara. Sipas tij, ky ligj nuk ka lidhje me fushatën zgjedhore, pasi hyn në fuqi në muajin gusht, 3 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Deputetja e PS, Ermonela Felaj solli në vëmendje atë që  ndodhi në 1997 si edhe në tragjedinë e Gërdecit, për të treguar se qeveria ka qenë e paaftë për të mbajtur nën kontroll armët deri më tani dhe se ende rezultojnë rreth 300 mijë armë pa leje të shpërndara tek njerëz të ndryshëm që janë bërë shpesh burim krimi.

Ndërkohë, sipas ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, nga i cili janë propozuar ndryshmit, ky ligj në thelb të tij kërkon të përmirësojë ligjin e vendosur prej qeverisë socialiste vite më parë, ndërsa synon uljen e numrit të personaliteteve që lejohen të mbajnë armë me leje.

Top Channel