“Berisha dështoi me punësimin”

18/03/2013 23:40

Partia Socialiste akuzoi kryeministrin Berisha se ka dështuar me politikën e punësimit.

Arbi Mazniku tha se në 2009-ën u premtuan 160 mijë vende pune, ndërsa shqiptarët humbën mbi 51 mijë vende pune.

“160 mijë vende pune u premtuan nga Sali Berisha dhe qeveria e tij në programin e tyre qeverisës në vitin 2009. Sot është dita për të bërë bilancin: 51 mijë 592 vende pune janë humbur që atëherë dhe kjo, jo sipas të dhënave tona, por sipas të dhënave të INSTAT, të grumbulluara nga vet qeveria. Ka një fond që quhet fondi për nxitjen e punësimit, po me sa duket Sali Berisha dhe qeveria e tij kanë besuar se shqiptarët nuk kanë nevojë që ta nxisin punësimin, që shteti ynë nuk ka nevojë ta nxisë punësimin, sepse vit pas viti ky fond ka ardhur në ulje. Sali Berisha nuk duhet votuar më, sepse përtej çdo dyshimi ai dështoi në punësimin e shqiptarëve”, theksoi Mazniku.

Ndërkohë, Gerti Bogdani deklaroi se qeveria Berisha ka hapur 200 mijë vende pune këto 4 vjet dhe sulmoi Ramën që ka vetëm slogane, po jo platformë për punësimin.

“Mbrëmë kryeministri Berisha lajmëroi se do t’u paraqesë shqiptarëve dhe grupeve të interesit planin konkret real për hapjen e vendeve të reja të punës. Kryeministri bëri të ditur se ai dhe mazhoranca, jo vetëm do të tregojnë në detaje se si do hapen këto vende pune, por edhe se ku do të hapen konkretisht. Prej vitit 2009, Partia Demokratike nën drejtimin e vendit ka krijuar 200 mijë vende të reja pune, ndërkohë që zoti Rama ka vetëm slogane, por jo plan për punësimin. Madje, ai po e bllokon punësimin. Me refuzimin e 3 ligjeve të statusit, Edi Rama ka bllokuar qindra milionë dollarë investime, duke u hequr mundësinë qytetarëve të përfitojnë prej tyre, si dhe nga vendet e punës që ato do të hapnin”, u shpreh Bogdani.

Top Channel