Rreth artikulimit publik të Kryeministrit

17/03/2013 00:00

Skënder Minxhozi – Të qeverisësh, thoshte Makiaveli, do të thotë t’i bësh të tjerët të besojnë ato që thua.

Një aksiomë që në Shqipërinë e sotme, më saktë në qeverinë e saj të sotme, apo më saktë akoma në krye të saj, duket se e mbajnë të qepur në xhepin e kostumit. Kryeministri Sali Berisha turbulloi ujërat para pak ditësh, duke hedhur një ide nga ato që nuk kanë asnjë shans të rezultojnë fituese, por që gjithsesi zhurmën e bëjnë si të jenë vërtet të tilla. Për 48 orë rresht të gjithë u morën me atë që opozita e quajti jo pa realizëm “shashkën e 16-vjeçarëve”. Një gjetje “last minute” (e minutës së fundit), që kreu i qeverisë i ka për zemër dhe që zakonisht i kumton me një nënqeshje ironike në fytyrë, e cila tregon se vetë ai i pari nuk e beson atë që thotë.

Propozimi për votën e 16-vjeçarëve, i vonuar dhe i sforcuar siç qe, u përdor megjithatë nga Berisha për t’i dhënë moshës së tij të tretë biologjike dhe politike, një erë freskie dhe dinamizmi. Të paktën ky ishte plani. Ashtu siç u përdor për një dozë patriotizmi elektoral, muaj më parë, në Vlorë, mu në dhomën ku dikur mbante mbledhjet Ismail Qemali, ideja për t’i pajisur me pasaporta shqiptare disa milionë bashkatdhetarë që jetojnë rrotull kufijve shtetërorë të shtetit amë. Asokohe, me solemnitetin që vetëm Berisha di të prodhojë, ai u dha porosi ministrave kokulur që mbanin shënime, që projektligji i nënshtetësisë të shkonte në Parlament “brenda javës”.

E tepërt të kujtosh se çfarë ndodhi me atë propozim. Pasi s’ka asgjë për të kujtuar. Projekti u harrua, jo vetëm sepse perëndimorët ngrysën vetullat, por edhe sepse kishte ardhur koha e blofit tjetër. Në një frekuencë kohore të shkurtër, Sali Berisha shfaqet herë duke prezantuar projekte disamiliardëshe në bujqësi, herë duke komentuar kaskada hidrocentralesh që janë ende në letër (në rastin më të mirë), herë duke numëruar miliona rrënjë ullinjsh imagjinarë dhe natyrisht, duke i shtuar mijërat e kilometrave të rrugëve të ndërtuara, nga një muaj në tjetrin. Për të mos harruar kapitullin e përjetshëm dhe të palëvizshëm, atë me titull “çfarë ndodhi sot në Partinë Socialiste”.

Në artikulimin politik të Sali Berishës ndërthuren prej vitesh improvizimi, driblimi i kundërshtarit, aludimet e nëntekstet e pafund, provokacioni, loja e diversivave dhe natyrisht blofi i kudondodhur. Prej kohësh që s’mbahen mend, ai është politikani që mund të thotë të pavërtetën më të madhe, me tonin më solemn të imagjinueshëm. Gjërat më të pamundura ai i ka thënë ndaj atyre që sot ka në krah, akuzat më të përbindshme i ka bërë ndaj personave që sot i shërbejnë nga mëngjesi në darkë, mallkimet më të frikshme i ka hedhur ndaj miqve, ashtu siç ka bërë lavde pafund për të tjerë që sot i anatemon pa pushim. Paqëndrueshmëria, një cilësi gjithëpërfshirëse në zanatin e politikanit të sotëm, kthehet te Berisha në një tipar themelor të lidershipit të tij. Sa herë që ai thotë “unë ju garantoj ju”, është mirë të ngulitësh mirë në mendje argumentin në fjalë, pasi do të ndodhë pikërisht e kundërta e asaj që Berisha premton. Në dy dekada të kaluara mbi shpinën e kalit të pushtetit, Sali Berisha është udhëheqësi politik që më së shumti është përballur me ato që ka thënë dhe ka mbrojtur në momente të shkuara të karrierës së tij. E shau dhe e anatemoi Fatos Nanon, edhe pasi e kishte futur në burg, e sulmoi Ilir Metën me fjalët më të rënda sa kohë ishin në dy llogore të ndryshme. Shikoni sesi i përdor që të dy sot, si hipotekën e pushtetit të tij. Se mos vetëm ata. Lista është e gjatë, si në korsinë e ish-miqve, edhe në atë të ish-armiqve.

Blofi i fundit me votimin e 16-vjeçarëve me siguri do të pasohet nga të tjerë në javët e ardhshme. Berisha bëhet veçanërisht prodhimtar në kohë fushatash, duke ia hequr çdo limit fantazisë së tij politike. Teksa ndien konsumin e rrezikshëm prej pushtetit tetëvjeçar, ai nuk e ka asfare të vështirë që t’i jepet me gjithë energjinë e tij të pashtershme, artit të zgjerimit të universit të tij paralel. Të asaj hapësire virtuale, plot shqiptarë të buzëqeshur e rrugë të shtruara me asfalt të zi e vija të bardha, ku ai jeton gjithë ditën i mbyllur, edhe ndërsa komunikon pa pushim me shqiptarët që nuk dinë sesi do ta nxjerrin fundin e muajit.

Pa e fryrë apo tepruar, artikulimi publik i Sali Berishës ka qenë një ndër problemet kryesore të tranzicionit njëzetvjeçar. Nga podiumi i Parlamentit, tribunat e mitingjeve apo formatet e tjera publike, ai ka injektuar rregullisht në jetën politike e sociale të Shqipërisë, tharmin e sherrit, akuzës ekstreme, sharjeve e fyerjeve gjithfarësh, që janë struktura bazë e kulturës së urrejtjes që ai predikon që ditën e parë që ka hyrë në politikën aktive.

Është bërë shumë e vështirë ta besosh Kryeministrin e këtij vendi. Por më e vështirë akoma është që ai vetë të konceptojë një sjellje tjetër nga kjo që shohim. Megjithëse përdor “Blackberry”, “Ipad” dhe ka hapur adresë personale në “Facebook”, Sali Berisha po i drejtohet një kohe në karrierën e tij politike, ku ndryshimi dhe modifikimi i sjelljes është një tabu e pakalueshme. Në pritje të blofit të radhës, ai mbetet ky që është sot e gjithë ditën: politikani më i paparashikueshëm i llojit të tij në Shqipëri.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA