Zamira Durda: Do zbardh korrupsionin e gjykatësve

16/03/2013 00:00

Familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit kanë përkujtuar
paraditen e së premtes 5-vjetorin e shpërthimit të fabrikës së
demontimit të armëve, ku mbetën të vrarë 26 persona dhe dhjetëra të
tjerë u plagosën rëndë.

Me lot në sy dhe kurora me lule në duar, ata i janë drejtuar kraterit ku ndodhi shpërthimi dhe më pas varrezave ku prehen 26 viktimat. Në homazhe kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Partisë Socialiste me në krye Edi Ramën, i cili nuk ka preferuar që të japë komente në lidhje me çështjen.

Zamira Durda, e cila ka humbur djalin e vogël vetëm 6 vjeç në këtë shpërthim, u shpreh se nuk do të heqë dorë kurrë nga kërkesa për të marrë drejtësi dhe për të dënuar, ashtu siç duhet fajtorët. Me lot në sy, për humbjen e vogëlushit të saj dhe për vonesën e drejtësisë, ajo thotë se prej 5 vjetësh rendet dyerve të gjykatave për drejtësi, por askush nuk e dëgjon dhe askush nuk denjon që t’i japë rrugëzgjidhje pretendimit të saj. Ajo ka kritikuar kryetarin e Gjykatës së Apelit, për vendimin qesharak siç e cilëson ajo, për fajtorët.

“Nuk mund ta duroj një gjë të tillë. Qëndrimi i gjykatës është i tmerrshëm dhe kjo nuk mund të durohet. Haram i qoftë buka që ha dhe paga që merr. Do ta ndjek çështjen edhe në Gjykatën e Lartë, pavarësisht se nuk kam shpresë. Nuk dua dëmshpërblim, dua drejtësi, dua të di pse nuk jeton më djali im”, shprehet Durda mjaft e zhgënjyer për sistemin e drejtësisë. Ajo madje pretendon se do të zbardhë korrupsionin e gjykatësve dhe thotë që do nxjerrë fytyrat e palara të tyre. Këtë akuzë e ngre për gjykatësit e Apelit dhe asaj të Shkalës së Parë.

Ndërsa Shoqëria Civile Shqiptare ka reaguar me forcë ndaj asaj që e cilëson shkelje sistematike të të drejtave të familjarëve të viktimave, për të pasur një proces të rregullt ligjor. Ata kanë kritikuar ashpër vendimet e gjykatave për tragjedinë e Gërdecit dhe çështjen e “21 janarit”. Mungesën e aksesit të familjarëve në dosjet hetimore, në të dy rastet, e kanë cilësuar si shkelje flagrante të ligjit. Ndër të tjera, Shoqëria Civile thotë se disa prej përgjegjësve kanë përfituar nga amnistia e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, duke përmendur këtu ish-ministrin e Mbrojtjes së asaj kohe, Fatmir Mediu. “Vendimet e gjykatës hapën rrugë për përsëritje të ngjarjeve kaq tragjike edhe në të ardhmen, duke u dhënë garanci funksionarëve shtetërorë për pandëshkueshmëri edhe në rastet e humbjes së jetës së njerëzve. Vendimet gjyqësore të dhëna nuk iu përgjigjën shkallës së tragjedisë së Gërdecit dhe ngjarjes së 21 janarit dhe përgjegjësive përkatëse për to, duke lënë pa autorë, ose duke dënuar relativisht lehtë shkaktarët e vdekjes së 30 viktimave të pafajshme”, thuhet në deklaratë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA