Shqipëri, tre mijë familje në varfëri ekstreme

16/03/2013 00:00

Shqipëria listohet e 41-a në fushën e Pabarazisë Gjinore mes 187
shtetesh të botës, ndërsa e 70-a për ndryshimin e vlerave të zhvillimit
njerëzor në tërësi. Varfëria, përfaqësimi i femrave në Parlament apo në
tregun e punës listohen si fenomene shqetësuese, me diferencë të
konsiderueshme në përqindje.

Fakte që ndikojnë automatikisht në mungesën e aksesit në fusha si: arsim, shëndetësi apo aspekte të tjera të jetës.

Varfëria

Në Shqipëri 0.1 për qind e popullsisë jeton në varfëri ekstreme, rreth 3 mijë familje, ndërsa 7.4 për qind janë nën vijën e varfërisë. Këto janë përfudnimet e pasqyruara në raportin e fundit të PNUD, për Zhvillimin Njerëzor. Studimi është realizuar mes 187 shtetesh, mes të cilave edhe Shqipëria, duke iu referuar të dhënave të vitit 2011.

Duke iu referuar këtyre statistikave rezulton se në Shqipëri 1,4 për qind e popullsisë jetonte në varfëri shumëdimensionale, ndërsa 7,4 për qind e popullsisë ishte vulnerabël ndaj deprivimeve të shumëfishta. “Intensiteti i deprivimit, që do të thotë përqindja mesatare e deprivimit me të cilin përballen njerëzit që jetojnë në varfëri shumëdimensionale, në Shqipëri ishte 37,7 për qind, për rrjedhojë mungesa e eksesit arrin në 0,005”, thuhet në raportin e vitit 2013. E megjithatë, edhe individët që jetojnë mbi vijën e varfërisë përballen me deprivimet në arsim, shëndetësi dhe kushte të tjera të jetesës.

“Përqindja e popullsisë shqiptare që jeton në varfëri ekstreme ka akses më të vogël në pothuajse të gjitha fushat e jetës, duke arritur në masën e 50 për qind apo edhe më shumë”, sqarohet në studim.

Studimi

Nga 187 shtete, Shqipëria listohet e 70-a për sa u takon fushave të Zhvillimit Njerëzor në tërësi.

“Nga viti 1980 deri në vitin 2012, jetëgjatësia në lindje në Shqipëri është rritur me 7,4 vjet, vitet mesatare të shkollimit janë rritur me 3,6 vjet dhe vitet e pritura të shkollimit janë ulur me 0,6 vjet. Të ardhurat kombëtare bruto për frymë në Shqipëri janë rritur me 85 për qind nga viti 1985 deri në vitin 2012. Treguesi i Zhvillimit Njerëzor i Shqipërisë për vitin 2012 prej 0,749 është nën mesataren prej 0,758 të shteteve në grupin me zhvillim të lartë njerëzor dhe nën mesataren prej 0,771 të shteteve të Europës dhe Azisë Qendrore”, thuhet në raportin e PNUD. Studimi konsiston në disa pika kyçe të ndryshimit të vlerave dhe renditjes së treguesve të zhvillimit njerëzor. Një prej tyre është edhe treguesi i pabarazisë gjinore, vlerat e të cilës në Shqipëri janë në masën e 0,251 duke e renditur atë në vendin e 41-të nga 148 shtete në indeksin për vitin 2012.

“Në Shqipëri 15,7 për qind e vendeve në Parlament janë zënë nga gratë dhe 78,8 për qind e grave në moshë madhore kanë arritur një nivel arsimi të mesëm ose të lartë krahasuar me 85 për qind të kolegëve të tyre meshkuj. Për çdo 100 mijë lindje, 27 gra vdesin nga shkaqe që lidhen me shtatzëninë. Ndërsa niveli i fertilitetit tek adoleshentët është 14,9 lindje për 1000 lindje të gjalla. Pjesëmarrja e femrave në tregun e punës është 49,6 për qind krahasuar me 71,3 për qind për burrat”, përcakton raporti.

Në të thuhet se ndryshe nga shtetet e tjera pjesëmarrëse, Shqipëria zotëron të dhëna për llogaritjen e shifrave të treguesit të varfërisë shumëdimensionale vetëm për periudhën 2008-2009, jo më pas kësaj. Në raport ka të dhëna edhe për përdorimin e teknologjisë, ku thuhet se në vendin tonë në 100 banorë, 45 përdorin internet, ndërkohë që raporti shfaqet negativ për sa u përket abonentëve familjarë, që është 3.3% në 100 banorë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel