Rama prezanton “Rilindjen” në Dibër

16/03/2013 00:00

Pas Burrelit e Bulqizës ndalesa e radhës për kryesocialistin Edi Rama për të prezantuar programin për një Rilindje Shqiptare, ishte Peshkopia.

Që në fillim të fjalës së tij, kreu i Partisë Socialiste deklaroi se 23 qershori është jo vetëm rilindja e shqiptarëve, por mundësi për Partinë Demokratike që të rilindë në opozitë.

“23 qershori, duke çuar Partinë Demokratike në opozitë do t’i japë mundësinë edhe Partisë Demokratike që të rilindë. Si shpjegohet që po të shohësh hartën e varfërisë ,si ka mundësi që më shumë janë në veri, ai që i ka dhënë votën për 22 vite Sali Berishës. A nuk është sot dita për t’u thënë të gjithë demokratëve që partia nuk është si skuadra e futbollit, se njeriu s’mund ta dojë atë përjetësisht?”, tha zoti Rama.

Më tej kryesocialisti u ndal tek bujqësia, arsimi dhe shëndetësia. Tek kjo e fundit Rama ritheksoi qendrimin e socialistëve për të ofruar shërbim falas në gjithë sistemin shëndetësor. Një tjetër pikë ku u ndal kreu i opozitës ishte drejtësia dhe turizmi.

Më herët drejtuesit qendrorë dhe vendorë të opozitës u ndalën tek rendi, ekonomia, arsimi, shëndetësia dhe sporti.

Deputeti Saimir Tahiri u ndal tek programi për reformimin e Policisë së Shtetit, luftën ndaj krimit e korrupsionit dhe vendosjen para përgjegjësive ligjore si të qytetarit ashtu edhe të zyrtarit.

Shkëlqim Cani u ndal tek programi ekonomik i  Partisë Socialiste për zhvillimin e Dibrës, që sipas tij është ndër qarqet më të varfëra në vend. Cani tha se parësore në programin e socialistëve për Dibrën është Rruga e Arbërit.

“100 km rrugë është, 100 km rrugë që zgjidh gjithcka, arsimin, shëndetësinë, zgjidh jetën. Me cdo kusht do të gjejmë financimin për këtë rrugë, që do të mbarojë që në mandatin e parë”, tha zoti Cani.

Më tej zoti Cani u ndal tek programi për bujqësinë. Ai tha se programi i PS-së garanton 5 herë më shumë investime dhe 10 herë më shumë kredi të zbutura për blegtorinë dhe bujqësinë. Cani u ndal edhe tek minierat.

Deputeti Fidel Ylli shprehu bindjen se Partia Socialiste ka programin e duhur për të shpëtuar Shqipërinë, sipas tij, nga personi që e mban peng prej 22 vitesh.

Top Channel