Sekretari i PS për rininë, Erjon Veliaj është shfaqur paraditen e së shtunës në një deklaratë për shtyp nga selia rozë, ku ka folur për dështimin e qeverisë në punësimin e të rinjve.
Gjatë deklaratës së tij Veliaj është shprehur se sot të rinjtë janë të papunë, të mashtruar nga qeveria, e cila sipas tij nuk meriton të votohet më.
“Kemi nisur një seri kujtesash për të treguar përse nuk duhet të votohet më Sali Berisha. Një nga arsyet është fakti se vetëm një në tre të rinj është i punësuar. Qeveria e Sali Berishës ka harruar të rinjtë. Të mos i japim mundësinë të na gënjejë sërish”, ka deklaruar Veliaj.
Ditën e premte, 100 ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit, opozita nisi një fushatë të re, të quajtur ‘100 arsye për të mos votuar Sali Berishën’.
Nënkryetari i grupit të Partisë Socialiste, Saimir Tahiri i konsideroi ditët e fundit të këtij pushteti, ditë që sipas tij nuk mjaftojnë për të risjellë në kujtesën e shqiptarëve 8 vjet të këqqeverisjes së Berishes.
Ai e përshkroi këto vite si: “të mbartura me varfëri, papunësi, rritje çmimesh, mashtrime, krime, korrupsion e deri te vrasja e qytetarëve të pafajshëm”.
“Qeveria e Sali Berishës, për një rastësi fatkeqe, mbush 100 ditët e saj të fundit, në 5-vjetorin e tragjedisë së Gërdecit. Dhe 100 arsyet për të mos votuar Saliun fillojnë me Gërdecin, këtë tragjedi që vështirë se do të shlyhet ndonjëherë nga kujtesa e shqiptarëve”, tha Tahiri.
“Tragjedia e Gërdecit sot ka mbetur pa autor. Fajtorët e vërtetë janë të lirë. Njëri është ende ministër me 26 të vdekur në kurriz, ndërkohë që tjetri vazhdon të kapardiset rrugve të Tiranës me titullin “djali i kryeministrit”, bashkë me bizneset e veta”, u shpreh ai.
Top Channel