Nga Gianluigi Buffon te Sokol Cikalleshi e Nevil Dede

15/03/2013 00:00

Mustafa Nano – Nuk mbeti italian pa u kapur nga ethet e zgjedhjeve të sapombyllura, të cilat, me rezultatin që prodhuan, po i japin dhembje koke të gjithë Europës.

 Një përfshirje elektorale aktorësh të jetës publike nuk është një gjë e padëgjuar në fqinjin tonë të përtej detit (kjo gjë, ku më shumë e ku më pak, verifikohet edhe në vende të tjera, sidozot në SHBA), por këtë herë përfshirja ishte gati totale. Dhe mes njerëzve të kinemasë, të teatrit, të letërsisë, të gazetarisë, të botës universitare etj., etj., ra në sy dhe Gianluigi Buffon, futbollisti i Juventusit, portieri i njohur në të gjithë botën, ndoshta dhe më i miri në botë. Ai u rreshtua politikisht, dhe mori pjesë në mënyrën e vet (me ndonjë qëndrim të shprehur aty-këtu, kuptohet) në fushatën elektorale. “Unë do të votoj për listën ‘Monti’”, tha ai, dhe pas kësaj, i ndjellë edhe nga interesi mediatik apo trysnia e gazetarëve, nuk ngurroi të thosh diçka më tepër, të shpjegonte pra zgjedhjen e tij, të shpjegonte pse ish tërhequr nga Mario Monti dhe nga “Scelta Civica” e tij. Në një rast mori pjesë edhe në një program të Bruno Vespës (“Porta a Porta”, në RAI), ku ish ftuar për të folur për programin elektoral vetë Mario Monti. Të nesërmen a të pasnesërmen, ish një ndeshje e Juves në Torino, por Buffon ish marrë vesh me drejtuesit e klubit, dhe po merrte pjesë drejtpërdrejtë në atë program televiziv, madje me një pasion civik të admirueshëm, duke dëshmuar dhe një formim e interes gjenuin për politikën.

Në dijeninë time, Buffon-i ishte i vetmi që u përfshi në mënyrë të dukshme në këtë fushatë elektorale. Janë të shumtë futbollistët italianë që s’e kanë për gjë të demonstrojnë se votojnë për njërën apo tjetrën palë, dhe se kanë këtë apo atë identitet politiko-ideologjik, por këtë herë veç portieri i kombëtares italiane kish çalltisur me bujë. Të merremi vesh, “me bujë” nuk don të thotë “pa klas”. Përkundrazi.

Dhe këtu është vendi për t’iu kthyer së njëjtës dukuri në Shqipëri, e ilustrimi është fare i freskët. Të dielën u luajt në Kavajë ndeshja mes dy skuadrave të Kategorisë sonë Superiore, Kavajës dhe Tiranës. Janë të shumë njerëzit që kanë marrë vesh, se pas ndeshjes, kryebashkiaku Elvis Rroshi, u fut në ambientet e brendshme të stadiumit të qytetit të vet, dhe aty, në korridor, i shoqëruar nga një grup tifozësh, kanë qëlluar me pëllëmbë trajnerin e Tiranës, Nevil Dede. Kanë marrë vesh, gjithashtu, se Elvis Rroshi është ndaluar më pas nga policia e Republikës, derisa u lirua në një seancë gjyqësore, në të cilën gjyqtarët e shpallën të paligjshëm ndalimin e tij, duke injoruar prokurorët që kërkon masën për detyrim paraqitjeje.

Le ta lëmë kryebashkiakun e Kavajës, që me sa duket nuk di të mos jetë protagonist në ngjarje që nuk i përkasin, e le të kapemi pas “kolegëve” shqiptarë të Buffon-it që, ashtu si ky i fundit, kanë pasione politike e që, në ndryshim nga ky i fundit, i kanë të egra e i demonstrojnë pa pikë klasi këto pasione. Ja si filloi kjo histori:

“Sokol Cikalleshi, lojtar i Kavajës, kish programuar qysh përpara ndeshjes një mënyrë krejt të pazakontë për të festuar një gol të mundshëm në portën e Tiranës. Fati e desh që ai ta shënonte këtë gol, dhe menjëherë më pas, pasi u shpëtoi përqafimeve të shokëve të skuadrës, ngriti fanellën zyrtare, atë me numër dhe me emrin e tij, dhe zbuloi çfarë kish shkruar në kanotieren poshtë fanellës. “Parid Cara goool…”, mund të lexohej në të. Parid Cara? Ku e kemi dëgjuar këtë emër? Ah po, është emri i kandidatit të saposhpallur për deputet në Kavajë nga ana e Partisë Socialiste. Cikalleshi pra ka dashur me këtë gjest t’u bëjë me dije të gjithëve rreshtimin e tij elektoral. E vërteta është se ai mund të shfaqej kur të donte, e si të donte, si një militant politik, por ai ka zgjedhur mënyrën më provokative e më pak të rafinuar për t’u thënë të tjerëve se “vota e tij është për Parid Carën”, dhe se “i ftonte të tjerët të votonin për kandidatin e parapëlqyer prej tij”. Gjesti i tij është fyes për tifozët e futbollit, të cilët nuk është e thënë të jenë tifozë të politikës, apo tifozë të së njëjtës parti e kandidat. Për më tepër, gjesti i tij lëndon rëndë deontologjinë e profesionit të sportistëve, të cilët kanë ditur gjithmonë, qysh në krye të herës e në të gjithë botën, të mos nakatosin sentimentet sportive me sentimentet politike, e të mos ngatërrojnë shkallët e mbushura të stadiumit me një tubim elektoral.

U mbyll këtu kjo histori? Jo, trajneri i Tiranës, Nevil Dede, me të parë çfarë ish shkruar në kanotieren e Cikalleshit, pickohet si të ish një militant rruge. Aty për aty harron se për çfarë ish në atë fushë, kthehet me fytyrë nga tifozët e Kavajës, dhe i nderon me grusht. Me grusht? Po, me grusht, për të përqeshur “komunistët” e Kavajës.

Të befason kjo gatishmëri e ky zell për ta futur politikën dhe në ca qoshe të jetës, ku nuk ka asnjë arsye të futet. Të befason dhe një lidhje e fortë simbiotike që këta të dy, ndoshta dhe të tjerë, kanë vendosur me partitë shqiptare, dhe merret vesh se në këtë mes nuk ka asnjë pasion gjenuin politik, të ngjashëm me pasionin e Gianlugit Buffon-it, që përmenda në krye të shkrimit. Jo, është një lidhje simbiotike që i çon në sjellje talebane, që i bën të mos stepen përpara asnjë skrupulli, i bën që të mos e kenë për gjë të shfaqen më shumë si militantë njëzetqindarkësh sesa si futbollistë e trajnerë. Madje, në rastin e Dedes të bën përshtypje dhe diçka. Emri i Parid Carës ka veç pak ditë që është dëgjuar për herë të parë. Edhe neve gazetarëve, që jemi ndjekës të vëmendshëm të jetës politike shqiptare, po të na fanepsej përpara një frazë si ajo që i është fanepsur Dedes, d.m.th “Parid Cara goool…”, do na duhej një copë herë për t’u ftilluar e për të marrë vesh se bëhej fjalë për kandidatin e Partisë Socialiste. Madje, mua personalisht as që do më shkonte mendja se Parid Cara është kandidati për deputet. Ende nuk do isha familjar me emrin e tij (tani, pas kësaj ngjarjeje, emrin e Parid Carës nuk e harroj më). Ndërsa Nevil Dede qenka kaq i përditësuar dhe i helmuar me ngjarjet politike, sa edhe në ato momente tensioni e antagonizmi sportiv (skuadra e tij sapo kish pësuar gol), emri i Parid Carës i ka mbërritur drejt e në sensorët e trurit, ku nga një stimul kimik a fizik është shndërruar në një formë të kodifikuar, e pastaj është riidentifikuar, ka gjetur veten pra, në një nga format e magazinuara më parë në të njëjtin tru. Gjithçka ka ndodhur në një fraksion të sekondës, derisa ka ardhur çasti që t’i thotë vetes: Ah, lëre, lëre, Parid Cara është ai komunisti që do kandidojë kundër PD-së. Në këtë rrethanë është kthyer nga tifozët e ka bërë me grusht. Dhe afërmendsh, gjesti që ka bërë e ka kënaqur më shumë sesa fitorja e titullit kampion në Kategorinë Superiore.

Federata i ka ndëshkuar që të dy, Cikalleshin e Deden, duke i pezulluar respektivisht një/dy ndeshje. Por ndëshkimi do duhej të ish më i madh. E di, futbolli shqiptar ka probleme ku e ku më të rënda se sa ky, por nuk di pse mendoj se në themel të të gjitha problemeve është kjo nakatosje e tij me politikën, që këtë herë mori një përthyerje më shumë vulgare sesa të dhunshme (ja një ngjarje tjetër krejt vulgare: para ca kohësh, skuadra e Skënderbeut të Korçës mori pjesë e tëra në fushatë elektorale; “e tëra” në kuptimin germë për germë të fjalës; pozuan për një poster elektoral, ku u bënin thirrje zgjedhësve të votonin për PD-në), e që herë të tjera merr forma më shumë të dhunshme sesa vulgare.

Kanë lidhjet sportistët tanë me modelin e Gianluigi Buffon-it? Asnjë lidhje.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA